Teknologji

Rreziku i postës elektronike të Microsoft-it në MB


Në Mbretërinë e Bashkuar kanë rezultuar më shumë se 3 mijë server-a të postës elektronike, të cilët mbetën të rrezikuar nga e meta globale e postës elektronike të Microsoft Exchange-it.

Agjencia e lajmeve, BBC, zbulon se Qendra Kombëtare e Sigurisë Kibernetike ka deklaruar se janë prekur rreth 7 mijë server-a në Mbretërinë e Bashkuar nga problemi i Microsoft-it, mirëpo vetëm gjysma e tyre ishte siguruar.

Software-i me qëllim të keq ishte gjendur në 2 mijë e 300 makineri dhe bizneset u ndihmuan për ta hequr atë.

Qendra ka njoftuar se është gati “jetësore” që të gjitha bizneset e prekura të marrin masa për të siguruar server-at e tyre të postës elektronike.

BBC shpjegon se njoftimi tregon për shkallën e problemit ndërmjet ndërmarrjeve britanike që nga shfaqja e të metës së software-it të Microsoft-it.

Grupet e quajtura Ramsonware përdorin problemin e software-it për të instaluar programet e tyre me qëllim të keq, megjithatë nuk ka prova të sulmeve të tyre të përhapura ndaj kompanive në Mbretërinë e Bashkuar.

Me instalimin e ransomware-ve, bllokohen të dhënat e përdoruesit prapa kriptimit të fortë duke e kthyer sistemin kompjuterik në të papërdorshëm.

Më pas, grupi kërkon pagesa për ta zhbllokuar sistemin. Ndërsa në rastin kur kërkesat e grupit nuk plotësohen, ai i vjedh ose i fshin të dhënat.

“Dobësia e sigurisë prek sistemin e postës elektronike të Microsoft Exchange-it, i cili fuqizon email-et e korporatave kryesore, bizneseve të vogla dhe organeve publike në të gjithë botën”, dallon BBC.

Megjithatë, qendra është veçanërisht e shqetësuar për bizneset e vogla dhe të mesme, të cilat mund të mos kenë dëgjuar mbi këtë problem.

Problemi shfrytëzohej fillimisht nga një grup piraterie për të fituar akses në distancë në server-at e postës elektronike nga ku mund të vidhnin të dhëna të ndjeshme.

Por, grupe të tjera u futën në lojë pas paralajmërimit të Microsoft-it se kishte identifikuar problemin dhe se u kërkonte përdoruesve të shkarkonin azhurnimet më të fundit të sigurisë.

Kjo e përkeqësoi situatën pasi grupe të shumta hacker-imi kërkojnë të gjejnë server-a të postës elektronike për të sulmuar.

“Ne jemi duke punuar ngushtë me industrinë dhe partnerët ndërkombëtarë për të kuptuar shkallën dhe ndikimin e ekspozimit në Mbretërinë e Bashkuar, por është me rëndësi jetike që të gjitha organizatat të ndërmarrin hapa të menjëhershme për të mbrojtur rrjetet e tyre”, ka thënë Paul Chichester, zëdhënës i Qendrës Kombëtare të Sigurisë Kibernetike.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore