Teknologji

Keq puna me Microsoft-in në Shtëpinë e Bardhë


Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Shtëpia e Bardhë ka paralajmëruar se hacker-at mund të kenë kompromentuar një numër të konsideruar viktimash duke shfrytëzuar dobësitë e zbuluara të software-it të Microsoft-it.

Agjensia e lajmeve, Financial Times, tregon se sekretari për shtyp, Jen Psaki, ka deklaruar se ekziston mundësia e një kërcënimi aktiv nga hacker-at që shfrytëzonin katër defekte të aplikacionit të email-eve të quajtur Microsoft Exchange.

“Kjo është një dobësi e konsiderueshme që mund të ketë ndikime të mëdha”, është shprehur Psaki duke shtuar se “jemi të shqetësuar se ka një numër të madh të viktimave dhe po punojmë me partnerët tanë për të kuptuar qëllimin”.

Defektet në aplikacion, kompania i ka bërë vetë të ditura javën e kaluar. Madje, Microsoft-i ka fajësuar një grup kinez hacker-ash, të cilët sipas kompanisë janë të mbështetur nga shteti kinez për të kryer sulme kibernetike.

Përmes një postimi në blog, Microsoft-i, njoftoi se një grup hacker-ash kishin nisur sulme të kufizuara dhe të shënjestruara për të fituar akses në e-mail. Sipas kompanisë, ata ishin përpjekur të futeshin në thellësi të sistemeve kompjuterike të viktimave në mënyrë që të rrinin aty pa u vënë re për një periudhë të gjatë kohore.

Grupi i sponsorizuar nga shteti kinez, sipas Microsoft-it quhet Hafnium, mirëpo Kina i ka mohuar pretendimet e kompanisë teknologjike.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore