Sport

Roma dhe Milan-i në ndjekje të Belotti-t


Roma dhe Milan-i janë në kërkim të zëvendësuesit të bomberave të tyre. Roma kërkon zëvendësuesin e Edin Dzeko-s, ndërsa Milan-i të Zlatan Ibrahimoviç-it. Corriere dello Sport raporton se të dy ekipet janë në garë për të marrë shërbimet e Andrea Belotti-t të Torino-s.

Kapiteni i Torino-s dhe sulmuesi i Kombëtares italiane, ka kontratë deri në qershorin e 2022 me klubin. Për momentin ai nuk ka pranuar propozimet e Presidentit, Urbano Cairo, për rinovimin e kontratës.

27-vjeçari ka gjashtë sezone që luan në Torino dhe po mendon të ndryshojë ambient, duke pasur qëllime të tjera në karrier dhe Roma ia ofron këtë mundësi.

Gjithashtu te verdhekuqtë ai do të gjente disa nga shokët e Kombëtares së Italisë si Lorenzo Pellegrini-n, Leonardo Spinazzola-n, Gianluca Mancini-n, Bryan Cristante-n, Nicolo Zaniolo-n dhe Stephan el Shaarawy-n.

Milan-i dhe Roma mund ta bëjnë të tyre lojtarin nëse ofrojnë 25 milionë euro edhe pse është një vit nga përfundimi i kontratës. Kjo ofertë do e bënte Torino-n të mos mendohej dy herë, por ta dërgonte lojtarin në drejtim të klubit që paraqit ofertën.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore