Lajme

Rohde: Shpresoj që Kosova të jetë një ditë anëtare e BE-së


Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde.

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, teksa ka uruar Ditën e Evropës shprehi dëshirën që Kosova të anëtarësohet në Bashkimin Evropian.

Rohde, përmes një shkrimi në rrjetin social ‘X’, ka potencuar se Evropa simbolizon liri, prosperitet e paqe dhe se sipas tij pa Ballkanin Perëndimor projekti i BE-së është i pakompletuar.

“BE mendoj që është projekti më i suksesshëm i paqes në historinë globale. Është një projekt i papërfunduar dhe shpresoj që shumë shpejt të ketë anëtarë të rinj dhe në mesin e këtyre shpresoj të jetë Kosova një ditë”.

“Gjermania është duke bërë gjithçka që të mbështesë këtë proces”, ka shkruar Rohde.

Komisioni Evropian vendosi masa ndëshkuese ndaj Kosovës një vit më parë për shkak të përshkallëzimit të situatës së sigurisë në Veri të vendit.

Masat e vendosura nga BE-ja ndaj Kosovës përfshinin: suspendimin e përkohshëm të grupeve punuese për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, mosftesën e Kosovës në takime të nivelit të lartë dhe suspendimin e vizitave bilaterale.

Gjithashtu, u suspendua edhe programimi i fondeve për Kosovën, të cilat ishin paraparë të dorëzoheshin përmes Kornizës së Investimeve në Ballkanin Perëndimor dhe IPA 2024 (Intrumentet e Para-Anëtarësimit).

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha javën e kaluar Kosova ka përmbushur të gjitha kërkesat e BE-së për heqjen e masave kufizuese që blloku ka vendosur ndaj Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore