Lajme

Rizvanolli: Për reduktimet më të gjata se dy orë do të dërgojmë dosje në Polici


Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka paralajmëruar dërgimin e një dosje në Policinë e Kosovës më rastet e pranuara nga qytetarët kur energjia elektrike po ju ndalet më shumë se dy orë.

Ajo ka theksuar se plani i reduktimeve i cili parasheh tetë orë furnizim me energji elektrike dhe dy orë pa furnizim duhet të implementohet në mënyrë të barabartë.

“Duke pasur parasysh që shumë qytetarë kanë shprehur dyshimet e tyre mbi vërtetësinë e problemeve teknike për reduktimet e zgjatura, Ministria e Ekonomisë është duke përgatitur një dosje me të gjitha raportimet për t’i dërguar në Policinë e Kosovës”, ka shkruar Rizvanolli në llogarinë e saj në Facebook.

Rizvanolli ka sqaruar se edhe çfarë përfshihet në këto dosje, duke përmendur edhe dyshimet lidhur me heqjen e qëllimshme të një faze në disa vende.

“Ndër të tjera, në këtë dosje janë të përfshira edhe disa foto të cilat janë dërguar nga qytetarë ku vërehet heqja e disa siguresa nga trafot e rrymës, si dhe dyshimet nga ana e qytetarëve në lidhje me heqjen e qëllimshme të një faze në disa vende duke e zvogëluar ngarkesën e rrjedhimisht duke e bërë ngrohjen në disa vende jo funksionale”.

Ministria e Zhvillimit Ekonomik.

Ajo po ashtu bëri të ditur se po marrin mijëra raportime nga qytetarët për reduktime të energjisë elektrike të cilat kanë zgjatur më shumë se dy orë, orar ky i udhëzuar nga KOSTT-i.

“Gjatë ditëve të fundit kemi pranuar disa ankesa që reduktimet e energjisë elektrike në disa zona kanë zgjatur deri në 20 orë. Për këtë arsye, dje i kam ftuar në takim urgjent përfaqësuesit e të gjitha institucioneve relevante: KEDS, KESCO, KOSTT dhe ZRRE”.

Rizvanolli shtoi se, “gjatë takimit kam kërkuar nga ta informatat dhe arsyet për reduktimet jashtë orarit të paralajmëruar, si dhe kam kërkuar nga KEDS që (me ndihmën e KOSTT) të sigurohen që orari të respektohet me përpikëri gjatë reduktimeve”.

Ajo ka inkurajuar qytetarët që të vazhdojnë t’i raportojnë rastet e dyshimta në adresën [email protected].

Ndryshe, Drejtori i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) , Nagip Krasniqi ka deklaruar për Albanian Post se “janë shpifje”, akuzat e kryetarit të Partisë Socialdemokrate të Kosovës (PSD), Dardan Molliqaj se Korporata Energjetike e Kosovës po shet fshehurazi rrymë në Maqedonin e Veriut.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore