Lajme

Riatdhesimi i 11 kosovarëve nga Siria – veprimi i duhur


Ilustrim, 11 kosovarë kthehen nga Siria në Kosovë

Në vatrat e luftës në Siri dhe Irak ka ende kosovarë, në mesin e tyre edhe fëmijë, por 11 prej tyre – shtetas të Kosovës, janë kthyer në vend nga zonat e konfliktit në Siri.

Njohësit e çështjeve të sigurisë, riatdhesimin e qytetarëve të Kosovës nga Siria po e shohin si veprimin më të rëndësishëm të këtij viti.

Eksperti i çështjeve të sigurisë, Bedri Elezi, në një prononcim për Albanian Post, ka thënë se me riatdhesimin e këtyre personave “i tregojmë botës se ne marrim parasysh rekomandimet e Qeverisë Amerikane e cila ka kërkuar nga shtetet të cilat kanë qytetarë të saj në zonat ku zhvillohen luftërat në Siri dhe Irak, të riatdhesohen dhe të integrohen njëkohësisht”.

Se sa mund të paraqesë rrezik për Kosovën riatdhesimi i tyre, Elezi ka theksuar se tashmë në Kosovë janë kthyer edhe shumë të tjerë dhe duke u nisur nga kjo përvojë, “nuk besoj që këta persona mund të paraqesin rrezik për vendin”.

“Në rast se do të merremi më seriozisht me integrimin e tyre, sigurisht që do të kemi një progres në ri-integrimin e tyre dhe do t’i shmangemi rreziqeve eventuale”, ka thënë ai.

Megjithatë, Elezi theksoi se është e rëndësishme mbikëqyrja e tyre nga institucionet përkatëse deri sa të konsiderohet se këta persona janë “deradikalizuar dhe integruar në shoqërinë tonë”.

Po ashtu, Elezi ka sqaruar se kosovarët e kthyer nga Siria fillimisht vendosen në Qendrën e Kujdesit, “atje ku janë vendosur edhe 110 të ri-atdhesuarit e mëhershëm”, për të marrë trajtimin e nevojshëm mjekësor dhe më pas për t’u rikthyer në shtëpitë e tyre, që sipas Elezit ky proces “do të zgjasë sipas zhvillimeve dhe rasteve, ngase duhet verifikuar secili në mënyrë të veçantë”.

Në anën tjetër, eksperti i çështjeve të sigurisë, Drizan Shala, në një prononcim për Albanian Post, ka thënë se Institucionet e Kosovës duhet ta ndryshojnë strategjinë e veprimit në ri-integrimin e qytetarëve të kthyer nga “vatrat e  krizës” dhe kampeve të refugjatëve.

“Nëse shteti tenton që të fokusohet vetëm në aspektin e kontrollit dhe monitorimit, mund të krijojë situata ku këta persona mos të hapen ndaj institucioneve dhe kështu ata në të ardhmen mund të paraqesin rrezik për sigurinë nacionale të vendit”, ka thënë Shala.

Sipas tij, duhet orientuar përmes programit socio psikologjik.

“Kështu mund të depërtohet në vetëdijen e tyre që shoqëria kosovare i pranon dhe mund të jetojnë pa dallime”, shtoi Shala.

Ndërkaq, Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se 11 shtetas të Kosovës janë kthyer në vend nga zonat e konfliktit në Siri. Sipas tij, personat e kthyer janë gra dhe fëmijë dhe ndaj tyre do të garantohet ndihma dhe mbështetja.

“Ne kërkojmë nga të gjithë që të respektojnë privatësinë e tyre në ditët, javët dhe muajt në vazhdim. Ata kanë dhe meritojnë të kenë kohën dhe hapësirën e nevojshme që të adaptohen. Qeveria jonë është duke i ndihmuar që të kthehen në familjet e tyre, në mënyrë që ata të ri-integrohen në rrethin e tyre”, ka shkruar në Facebook.

Në muajin shkurt, Albanian Post pati raportuar se në Siri dhe Irak ka ende kosovarë. Madje në mesin e tyre sipas të dhënave të Policisë së Kosovës ka edhe fëmijë.

“Në zonën e konfliktit aktualisht janë 46 fëmijë të cilët kanë udhëtuar ose kanë lindur në zonën e konfliktit së paku nga njëri prind me shtetësi nga Kosova”, thuhej në përgjigjen e Policisë.

Shumë nga kosovarët nuk kanë arritur të mbijetojnë si pasojë e luftimeve të ashpra në zonat e Lindjes së Mesme, viteve të fundit.

“Në forma të ndryshme Policia e Kosovës ka informata se në zonën e konfliktit janë vrarë ose kanë ndërruar jetë nga shkaqe natyrore rreth 97 persona”.

Sipas të dhënave të PK-së, në Siri e Irak që nga viti 2012, nga Kosova kanë udhëtuar mbi 100 persona.

“Në zonën e konfliktit Siri apo Irak janë gjithsej 102 persona me shtetësi apo origjinë nga Kosova të cilët në periudha kohore të ndryshme nga viti 2012 deri tani kanë udhëtuar nga Kosova apo ndonjë shtet tjetër për në zonën e konfliktit”.

 

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore