Lajme

Reshjet e shiut, Mehaj: S’është e nevojshme ndërhyrja e FSK-së


Armend Mehaj

Pas reshjeve të shiut këtë të shtune në Kosovë, Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka thënë se gjendja është e qetë dhe nuk nevojitet ndërhyrja e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).

Mehaj përmes një postimi në rrjetin social në “Facebook”, ka potencuar se “pas reshjeve të shiut që kishim sot dhe pas informacioneve që në komunën e Rahovecit dhe Prishtinës mund të jetë rënduar gjendja nga vërshimet, kam telefonuar kryetarin (Smajl) Latifi dhe (Përparim) Rama me të cilët kam biseduar për gjendjen dhe nevojën për t’iu dalur në ndihmë”.

“Fatmirësisht gjendja është e qetë dhe nuk ka vërshime të mëdha rrjedhimisht ndërhyrja jonë nuk është e nevojshme sipas kryetarëve të dy komunave”, shkroi ai në Facebook.

Ndërkaq, ai theksoi se gjatë kohëve të fundit vërshimet janë bërë të shpeshta  dhe “gatishmëria jonë është gjithnjë në nivel”.

“Shpresojmë të mos ketë dëme në këto komuna!”, përfundoi ai.

Ndryshe, Erërat e forta dhe reshjet e mëdha të shiut në Prishtinë kanë shkaktuar disa dëme.

Kulmi i një ndërtese në lagjen “Bregu i Diellit” ka rënë si pasojë e erërave të forta ndërsa kanë mbetur të dëmtuar disa vetura.

Si pasojë e erërave është rrëzuar edhe dega e një peme brenda parkut të Taukbahçes në kryeqytet.

Ndërsa një shi i rrëmbyeshëm i cili ka nisur minuta më parë në Rahovec ka shkaktuar vërshime në këtë komunë.

Vërshime në Rahovec

Era e fuqishme e shoqëruar me shi të rrëmbyeshëm e breshër ka përfshirë edhe Gjakovën.

Pamje të ngjashme janë edhe në Ferizaj, i cili është kapluar nga një stuhi e fuqishme.

Erërat e forta dhe reshjet e shiut shkaktojnë dëme në Prishtinë e Rahovec

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore