Lajme

Republikanët tërhiqen nga komisioni hetimor ndaj Trump


Pesë republikanët e caktuar për të qenë pjesë e komisionit hetimor të posaçëm kundër ish-presidentit të SHBA-ve, Donald Trump, janë tërhequr, duke e lënë kështu gjysmak atë.

Ky vendim nga kreu i republikanëve në Kongres, erdhi pasi drejtuesja e dhomës, demokratja Nancy Pelosi, refuzoi dy prej kandidatëve, të cilët i referoi si “pro-Trump”, bazuar në qëndrimet e tyre të mëparshme.

Jim Jordan dhe Jim Banks, kanë qenë mbrojtës të palëkundur të ish-presidentit.

“Me gjithë respektin për këtë komision hetimor të ngritur dhe duke marrë parasysh qëndrimet e dy prej kandidatëve të paraqitur, më duhet të refuzoj emërimet e tyre”, tha Pelosi në një deklaratë për shtyp.

Kjo, nxiti edhe tërheqjen e tre emërimeve të pranuara nga republikanët.

Paneli i përbërë nga 13 anëtarë, vjen pas refuzimit fillestar të republikanëve për të krijuar një komision bipartizan.

Ngritja e këtij komisioni, vjen pas shumë përpjekjeve të demokratëve për të shkarkuar – edhe pas largimit nga presidenca – Donald Trump-in. Përpjekje këto, të gjitha të pasuksesshme.

Më 6 janar 2021, Capitol Hill, ndërtesa ikonë e demokracisë amerikane, pa një protestë të përgjakshme. E gjithë kjo, gjatë kohës kur Senati po certifikonte zgjedhjet në SHBA.

Jeta e ligjvënësve amerikanë madje, u rrezikua, kur protestues të shumtë bastisën godinën.

Ngjarja ndodhi fill pas një mitingu që Trump mbajti përpara oborrit të ndërtesës. Për këtë, ai u akuzua drejtpërdrejt si shkaktar i situatës.

Ky komision – i ngjashëm me atë ndaj sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001 në SHBA – do të shohë rrugë të mundshme për dënimin e drejtpërdrejtë të Trump mbi ngjarjen e Capitol-it.

Pesë persona mbetën të vdekur në atë protestë. Ndërsa, të plagosur, qindra të tjerë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore