Lajme

Raporti i DASH-it për Transparencën Fiskale: Kosova dhe Shqipëria përmbushin kërkesat minimale


Departamenti i Shtetit

Departamenti amerikan i Shtetit ka paraqitur Raportin e Transparencës Fiskale për vitin 2023.  Raporti përshkruan kërkesat minimale të transparencës fiskale të zhvilluara, azhurnuara dhe forcuara nga Departamenti i Shtetit në konsultim me agjencitë e tjera përkatëse federale.

Nga 140 qeveri të vlerësuara, sipas Raportin e Transparencës Fiskale, 74 prej tyre plotësojnë kërkesat minimale të transparencës fiskale, përfshirë Kosovën dhe Shqipërinë, kurse 69 nuk plotësojnë kërkesat minimale të transparencës fiskale, ndonëse 25 prej tyre kanë bërë progres drejt përmbushjes së kërkesave minimale.

Departamenti i Shtetit, në raportin e vitit 2023, vlerësoi se Kosova dhe Shqipëria kanë përmbushur kriteret për transparencë fiskale për periudhën 1 janar – 31 dhjetor 2022. Të dhënat që ka përdorur Departamenti i Shtetit janë nga shërbimet diplomatike dhe konsullore, nga shoqëria civile dhe nga organizatat ndërkombëtare.

Transparenca Fiskale informon qytetarët se si shpenzohen të ardhurat e qeverisë dhe të ardhurat nga taksat. Ky është një element kritik i menaxhimit efektiv të financave publike. Transparenca siguron për qytetarët një dritare në buxhetet qeveritare dhe ndihmon që qeveritë të japin llogari.

Po ashtu, ajo ndihmon në ndërtimin e besimit dhe qëndrueshmërisë së tregut. Raporti i Transparencës Fiskale i mandatuar nga Kongresi i Shteteve të Bashkuara është një mjet për të identifikuar mangësitë dhe për të mbështetur ndryshimet e nevojshme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore