Shqipëria

Rama shënjestron mediat dhe opozitën për tragjedinë në Himarë


Për tragjedinë në Himarë, kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish.

Kësaj here fokusi ka qenë te media dhe opozita.

“Madhësia e tragjedisë së djeshme në Himarë e bën edhe më të madhe se çdo herë tjetër ligësinë e verbër të vampirëve politikë e mediatikë që s’lenë plagë pa futur gojën e tyre të përdalë, duke kërkuar përfitimet e tyre mizerabël në shkelje të çdo kodi moral, familjar, kombëtar”.

Sipas tij, ky është sezoni më i organizuar, më i rregullt e më i pastër turistik ndonjëherë falë punës së nisur që shtatorin e kaluar.

“Tragjedia e djeshme ka tronditur të madh e të vogël dhe ka krijuar një ndjenjë të rëndë shqetësimi, ndërkohë që Policia e Shtetit po merr të gjitha masat për të reaguar shumë më fort ndaj sfidës së garantimit të rendit ligjor jo vetëm në qarkullimin rrugor, po edhe atë ujor”, ka shtuar Rama.

Për të, vizioni i Shqipërisë turistike dhe ambicia që kjo të jetë dekada e kthimit të vendit në kampionin rajonal të turizmit, lidhet edhe me rritjen e lartë të mjeteve lundruese dhe sfidën e disiplinimit të tyre.

“Shkarkimi i gjithë trupës së drejtorisë së kufirit Vlorë dhe vendosja e një fokusi të shtuar mbi qarkullimin ujor, janë hapat e duhur që do të pasohen nga hapa të tjerë”, ka vijuar kryeministri.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore