Shqipëria

Rama: Pas përfundimit të Lojërave Olimpike, program të përbashkët me KOKSH-in


Në përgatitjen zyrtare dhe në prag të hapjes së Lojërave Olimpike të Tokios, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, deklaroi se pas Lojërave Olimpike do të ulet me kreun e  Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH) për të hartuar një program të përbashkët, të mandatit të tretë, që është për fëmijët, shkollat dhe gjimnazet.

Ai uroi sportistët shqiptar që do të jenë pjesëmarrës në këto lojëra, duke u thënë se mjafton që të bëjnë detyrën e tyre brenda mundësive.

“Është një moment gjithmonë i veçantë kur është viti i Olimpiadës, sepse siç e ka thënë edhe krijuesi i saj – e rëndësishme është pjesëmarrja”, nënvizoi Rama.

Ai u shpreh se duke marrë shkas nga viti pandemik dhe nga kushtet e vështira në të cilat ka qenë sporti, është bërë një përgatitje e dyfishtë.

Sipas tij, kjo, edhe për meritë të dashamirësisë që ka për sportin vetë kreu i KOKSH-it, Fidel Ylli.

“Në bashkëpunim me kryetarin e Bashkisë së Tiranës është bërë e mundur një trajtim dinjitoz i pjesëmarrësve”, u shpreh Rama.

Ai shtoi se e ka pritur me shumë kënaqësi zgjedhjen e Fidel Yllit në krye të Komitetit Olimpik.

“KOKSH-i nuk ka qenë asnjëherë në majën e misionit të saj, me organizimet apo aktivitetet sportive”, ravijëzoi Rama.

Lidhur me punën e qeverisë, Rama tha se nuk mund të ketë misione olimpike pa ndërthurjen e të gjitha institucioneve për të shkuar deri tek fëmijët.

“Kemi në plan t’i japim një shtytje kësaj çështjeje edhe pse jemi në faza embrionale. Mendoj që janë krijuar kushtet që të hyjmë në një fazë të re, përtej përpjekjeve të qeverisë dhe ministrive, varet shumë nga KOKSH-i”, shpjegoi Rama.

Në përmbyllje, Rama falenderoi dhe ambasadorin e Japonisë, Takada Mitsuyuki, për rolin dhe ndihmesën e tij në Shqipëri.

Flamuri i Shqipërisë, iu dorëzua sportistëve Luiza Gega dhe Briken Calja.

Sportistët shqiptarë pjesëmarrës

Indrit Cullhaj – xhudo, pesha 66 kilogramë.

Izmir Smajlaj – atletikë, kërcim së gjati.

Erkand Qerimaj – peshëngritje, 81 kilogramë.

Kledi Kadiu – not, 100 metër stil i lirë.

Nikol Merizaj – not, 50 metër stil i lirë.

Luiza Gega – atletikë, 3 mijë metër me pengesa.

Briken Calja – peshëngritje, 73 kilogramë.

Matvei Petrov – gjimnastikë artistike, pommel horse.

Manuela Delilaj – qitje sportive, 10 metër pistoletë me ajër.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore