Shqipëria

Politika shqiptare kujton ditën e lindjes së Nënë Terezës


“Dashuria duhet vënë në veprim”, predikonte Shenjtorja Nënë Tereza, simboli më përfaqësues dhe frymëzues i humanizmit, solidaritetit dhe i vajzës, motrës dhe nënës së dhembshur shqiptare.

Kështu e kujtoi ditën e lindjes së Nënë Terezës Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, mesditën e 26 gushtit.

“Sot, në 111-vjetorin e lindjes së saj, nderimi më i madh që mund t’i bëjmë është të ndjekim shembullin e veprës së saj dhe vlerat më të mira kombëtare, njerëzore dhe hyjnore që promovoi gjatë gjithë angazhimit jetësor”, vijon më tej Meta.

Presidenti e mbyll urimin për të me një ndër shprehjet e saj më të famshme, “jo të gjithë ne mund të bëjmë gjëra të mëdha, por secili nga ne mund të bëjë gjëra të vogla me dashuri të madhe”.

Ndërsa kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e nisi mëngjesin me një urim për ditën e lindjes së Nënë Terezës.

“Me këtë foto të Nënë Terezës së shenjtë në ditën e lindjes së saj, ju uroj një ditë të paqtë si vetë ajo”, shkruan Rama në median sociale Facebook.

Po ashtu edhe ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, ka kujtuar lindjes e të shenjtës Nënë Tereza.

“111 vjet më parë lindi një grua e veçantë, e cila ia kushtoi jetën kujdesit për njerëzimin”, shkruan Xhaçka në median sociale Twitter.

Nga ana tjetër ministjra Xhaçka kujton se, “sot, Shqipëria po përgatitet të presë mijëra që ikin për jetën e tyre. Ne jemi krenarë që solidariteti dhe bamirësia që ajo predikoi dhe praktikoi, është gjallë në mesin e shqiptarëve”.

26 gushti shënon ditën e lindjes së Anjezë Gonxhe Bojaxhiu, e njohur si Nënë Tereza, në Shkup të vitit 1910.

Kush ishte Gonxhe Bojaxhiu?

Gonxhja ishte fëmija i tretë i Nikollë Bojaxhiut me origjinë nga Mirdita dhe e Drane Bojaxhiut nga Novo Sella e Gjakovës.

Gonxhja lindi në Shkup, të Shqipërisë – të pushtuar prej Perandorisë osmane – sot Republika e Maqedonisë.

Një ditë pas lindjes, ajo u pagëzua në kishën e Zemrës së Krishtit nga famulltari i atëhershëm Dom Zef Ramaj.

Gonxhja kishte një vëlla dhe një motër. Vëllai quhej Lazër Bojaxhiu dhe studioi në Grac të Austrisë në Akademinë Ushtarake, por për shkaqe politike emigroi qysh herët në Itali. Kurse motra quhej Age Bojaxhiu.

Gonxhja mësimet e para i mori në një shkollë shqipe në Shkup. Aty ajo mbaroi dhe gjimnazin, por në gjuhën serbo-kroate.

Pasionet e rinisë së Gonxhes ishin të bëhej mësuese, të shkruante dhe recitonte poezi dhe të kompozonte e të luante muzikë.

Emrin “Tereza” e mori kur ishte 18 vjeçe dhe u dorëzua murgeshë. Nënë Tereza u largua më 26 shtator 1928 nga Shkupi në drejtim të Dublinit, Irlande. Prej kësaj dite, nënë, bijë e motër nuk do të shiheshin më kurrë.

Nënë Tereza u vendos në Kalkuta (Indi) ku fillimisht u bë mësuese dhe shumë shpejt drejtore e shkollës së vajzave.

“Nënë Tereza e Kalkutës” u quajt kur themeloi urdhrin “Misionaret e Dashurisë” në vitin 1951, për t’u shërbyer më të varfërve dhe më të pashpresëve të Kalkutës, Indisë dhe gjithë botës.

Në vitin 1979, ajo mori çmimin Nobel për Paqen. Vit kur e gjithë bota mësoi se Nënë Tereza ishte shqiptare.

Shqiptarja trupvogël ishte kthyer në një legjendë të gjallë. Ajo ishte nënë kujdestare e 7 mijë e 500 fëmijëve në 60 shkolla. Ishte nënë që mjekonte 960 mijë të sëmurë në 213 dispanseri. Si dhe ishte e vetmja në botë qe trajtonte 47 mijë viktima të lebrozes në 54 klinika.

Gjithashtu Nënë Tereza kujdesej për 3 mijë e 400 pleq të braktisur, në 20 shtëpi pleqsh. Sipas të dhënave ajo kishte birësuar 160 fëmijë ilegjitimë e bonjakë. Këto janë shifrat e mesit të viteve ’80.

Nënë Tereza ishte një grua shumë bujare, humane dhe zemërgjerë.

Disa nga çmimet që iu dhanë Nënë Terezës

Çmimi Damian Dutton

1962 – Çmimi Ramon Magsaysay

1973 – Çmimi Templeton

1978 – Çmimi Balzan

1979 – Çmimi Nobel për Paqe

1980 – Çmimi Bharat Ratna

1985 – Çmimi Medal of Freedom

1996 – Qytetare nderi e Shteteve të Bashkuara të Amerikës

1996 – Dekorata Qytetar Nderi i Kosovës

Në vitin 2003, Aeroportit i Tiranës, përfundimisht do të quhej “Aeroporti i Nënë Terezës”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore