Lajme

111 vjetori i lindjes së Shën Terezës


Ipeshkvia e Kosovës do të organizojë këtë të enjte akademi solemne për të shënuar ditëlindjen e Shën Terezës.

Kjo akademi do të mbahet në Katedralen me emrin e saj “Shën Nënë Tereza” në Prishtinë duke nisur nga ora 19:00. Sot asaj i festohet 111 vjetori i lindjes.

Anjezë Gonxhe Bojaxhiu e njohur si Nënë Tereza, e së fundi si Shën Tereza, u lindi në Shkup më 26 gusht të vitit 1910.

Kush ishte Gonxhe Bojaxhiu?

Gonxhja ishte fëmija i tretë i Nikollë Bojaxhiut me origjinë nga Mirdita dhe e Drane Bojaxhiut nga Novo Sella e Gjakovës.

Gonxhja lindi në Shkup, të Shqipërisë të pushtuar prej Perandorisë osmane, sot Republika e Maqedonisë, i cili më pas i bashkohet Maqedonisë në janar të 1918-tës sipas traktatit të Varshajës.

Një ditë pas lindjes, ajo u pagëzua në kishën e Zemrës së Krishtit nga famulltari i atëhershëm Dom Zef Ramaj.

Kola dhe Drania kishin 5 fëmijë, dy u vdiqën në fëmijërinë e hershme. Frikën se edhe Gonxhja mund të vdiste, nënë Drania e kishte të madhe, pasi që me trup dhe shëndet dukej e dobët.

Gonxhja kishte një vëlla dhe një motër. Vëllai quhej Lazër Bojaxhiu dhe studioi në Grac të Austrisë në Akademinë Ushtarake, por për shkaqe politike emigroi qysh herët në Itali. Kurse motra quhej Age Bojaxhiu.

Gonxhe dhe Age Bojaxhiu

Babai i saj merrej me tregti dhe mblidhte në shtëpinë e tij artistë e patriotë shqiptarë. Gonxhja mësimet e para i mori në një shkollë shqipe në Shkup, ku po ashtu e kreu dhe gjimnazin, por në gjuhën serbo-kroate.

Pasionet e rinisë së Gonxhes ishin të bëhej mësuese, të shkruante dhe recitonte poezi dhe të kompozonte e të luante muzikë.

Emrin “Tereza” e mori kur ishte 18 vjeçe dhe u dorëzua murgeshë. Nënë Tereza u largua më 26 shtator 1928 nga Shkupi në drejtim të Dublinit, Irlande. Prej kësaj dite, nënë, bijë e motër nuk do të shiheshin më kurrë.

Shtëpia Përkujtimore e Nënë Terezës në Shkup qytetin e saj të lindjes.

Më 12 shtator 1928, Gonxhja kishte shkruar këtë letër drejtuar tezes së saj: “Shkup 12. 09. 28 E dashura Teze Lis! Më 26 të këtij muajit po nisem prej Shkupit. S’po mund mos me ju shkruaj dy tri rreshta për juve. Lamtumirë, e dëshiroj që Zoti t’ju jap gjithçka që ju dëshiron zemra. Dua t’ju fal gjërat më të përzemërta, Gonxhja”.

Ky ishte momenti kur ajo u nda përfundimisht me familjen dhe vetëm pas 30 vitesh, do të takohej me të vëllanë, Lazrin.

Kurse nëna Drania dhe motra Age, u kthyen në atdhe, në Shqipëri, qysh para Luftës së Dytë Botërore.

Nënë Tereza u vendos në Kalkuta (Indi) ku fillimisht u bë mësuese dhe shumë shpejt drejtore e shkollës së vajzave.

“Nënë Tereza e Kalkutës” u quajt kur themeloi urdhrin “Misionaret e Dashurisë” në 1951, për t’u shërbyer më të varfërve dhe më të pashpresëve të Kalkutës, Indisë dhe gjithë botës.

Në vitin 1979, kur mori çmimin Nobel për Paqe, e gjithë bota mësoi se Nënë Tereza ishte shqiptare. Por Shqipëria nuk heshte. Republika Popullore Socialiste e Shqiperisë nuk i kishte dhënë vizë nobelistes së ardhshme as sa për të parë nënën e saj që jetonte në Tiranë, as për të marrë pjesë në varrimin e saj më 1974, as për të parë varrin. Madje këtë vizë nuk ia dhanë as kur fama e saj kishte marrë dhenë në të katër anët e botës deri ne fillim të viteve ’90.

Shqiptarja trupvogël ishte kthyer në një legjendë të gjallë. Ajo ishte nënë kujdestare e 7 mijë e 500 fëmijëve në 60 shkolla, ishte nënë që mjekonte 960 mijë të sëmurë në 213 dispanseri, ishte e vetmja në botë qe trajtonte 47 mijë viktima të lebrozes në 54 klinika, kujdesej për 3 mijë e 400 pleq të braktisur e të lënë rrugëve, në 20 shtëpi pleqsh, kishte birësuar 160 fëmijë ilegjitimë e bonjakë. Këto janë shifrat e mesit të viteve ’80.

Nënë Tereza nuk qe ndonjë perëndeshë dhe me të mund të fliste çdonjëri. Madje ajo kishte edhe adresë të saktë: një godinë ngjyrë hiri në “Bose Road”, të ndërtuar në një lagje të zhurmshme dhe çjerrëse, të stërmbushur me njerëz, e cila vlonte nga çajbërësit, shitësit dhe tregtarë të tjerë të pjesëve më të ndryshme këmbyese si dhe lëngështrydhësit.

Në qendër të Kalkutës shtrihej shtabi i përgjithshëm i Rregullit, “Shtëpia e Nënës”, pranë portës të së cilës qe vendosur një tabelë druri ku shkruante: “Mother Teresa”.

Shtëpinë e Nënë Terezës e kanë vizituar personalitete si: mbretëresha e Britanisë, ish presidentët e Shteteve të Bashkuara George Bush e Jimmy Carter, Yasser Arafati, princesha Diana e shumë të tjerë.

Nënë Tereza dhe Princes Diana

Nënë Tereza ishte një grua shumë bujare, humane e zemërgjerë dhe këto janë karakteristikat që do ta bëjnë të jetojë përgjithmonë në zemrat e gjithë njerëzve, sidomos në zemrat e shqiptarëve.

Disa nga çmimet që iu dhanë Nënë Terezës

Çmimi Damian Dutton

1962 – Çmimi Ramon Magsaysay

1973 – Çmimi Templeton

1978 – Çmimi Balzan

1979 – Çmimi Nobel për Paqe

1980 – Çmimi Bharat Ratna

1985 – Çmimi Medal of Freedom

1996 – Qytetare nderi e Shteteve të Bashkuara të Amerikës

1996 – Dekorata Qytetar Nderi i Kosovës

Në vitin 2003, Aeroportit të Tiranës, Shqiperi iu dha emri “Nënë Terezës”. Në hyrje të këtij aeroporti më 2007 u inagurua edhe busti i saj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore