Shqipëria

Rama falënderon mediat për mospublikimin e të dhënave


Në një konferencë për shtyp kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, për sa i përket rrjedhjes masive së të dhënave nëpërmjet një dokumenti që ka qarkulluar në rrjet, ka falënderuar mediat shqiptare për mospublikimin e të dhënave personale të këtyre personave.

“Dua të falënderoj të gjitha mediat, ekranet në mënyrë të posaçme që me të drejtën e tyre e kanë komentuar, por nuk kanë nxjerrë të dhëna sidoqoftë, po kështu dhe të gjithë ata që nuk kanë bërë këtë krim në portalet e veta”, tha Rama.

Sipas Ramës interesant është fakti që, “të njëjtat media që e nxorën rastin e mëparshëm tani nuk e bënë, nuk e di pse, nuk aludoj”, deklaroi Rama duke iu referuar rastit të “patronazhistëve”.

“Kjo bazë ka dalë në një ‘tik tok’ para disa muajsh dhe nuk është përdorur, po është përdorur tani. Pse zëdhënës të gratanongrata paralajmërojnë të tjera. Është dorë qartësisht për konfuzion dhe pasiguri publike”, shtoi ndër të tjera kreu i qeverisë.

Por, Rama theksoi se revolucioni digjital nga qeveria “nuk do të ndalet”.

“Mbase këtë e ka nxitur dhe fakti se për disa javë me radhë kemi ndërmarrë një tur sensibilizimi për të informuar qytetarët se do të mbyllen sportelet dhe do jetë gjithçka online”, tha Rama.

Në përfundim Rama theksoi se, “nga ana jonë do të bëjmë maksimumin që të forcojmë kapacitetet për të krijuar mure pas mure, sepse jemi shumë të ekspozuar”.

Një ditë më parë në median sociale “Whatsapp” u shpërnda një listë në formatin “excel” me të dhënat mbi numrin personal të identifikimit, pozicionin e punës dhe pagat që ata marrin.

Më herët Rama, ka kërkuar zyrtarisht ndjesë ndaj gjithë qytetarëve shqiptarë, të cilëve u janë publikuar të dhënat personale.

Në hetim sipas kreut të Qeverisë, duhet të merren të gjithë ekspertët, të cilët kanë akses në sistem.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore