Shqipëria

‘Transmetimi i databazës me pagat, shkelje e ligjit’


Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale ka reaguar në lidhje me publikimin e të dhënave të të punësuarve në sektorin publik dhe atë privat, shoqëruar me të dhëna të tyre.

Ajo ka bërë me dije se ka nisur punën për sigurimin e kësaj baze të dhënash dhe për identifikimin e shkeljeve të mundshme, në mënyrë që të ushtrojë detyrimin ligjor dhe kryerjen e veprimeve të domosdoshme për një hetim administrativ kryesisht (me iniciativën e saj) për këtë çështje.

Gjithashtu u ka bërë thirrje të gjithë individëve apo subjekteve publike/private që disponojnë këtë bazë të dhënash personale, të mos e transmetojnë, qarkullojnë apo publikojnë duke rënduar situatën në kuadër të pasojave, që mund të vijnë në lidhje me të drejtën për respektimin e jetës private.

“Çdo veprim që mund të duket si një ‘lojë’, në përfundim do të rezultonte si shkelje e ligjit, pasi kemi të bëjmë me një përpunim të paligjshëm të të dhënave personale të shtetasve”, shkruhet në reagim.

Sipas tyre, qarkullimi online apo dhe publikimi në media i të dhënave të qytetarëve rezulton se është një veprim i kundërligjshëm, i papërgjegjshëm dhe u bëhet thirrje organeve mediatike dhe publikut të mos bëhen përhapës të paligjshëm të të dhënave personale.

“I drejtohemi opinionit publik që të mos bëhet pjesë dhe të refuzojë këtë përpunim të jashtëligjshëm dhe ta fshijë këtë bazë të dhënash”, finalizohet reagimi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore