Lajme

Radhë të gjata për vaksinim – Policia detyrohet të intervenojë për shkak të tollovisë


Të moshuarit mbi moshën 65 vjeç duke pritur në rend për t’u vaksinuar

Ka rifilluar vaksinimi i qytetarëve mbi moshën 65-vjeç. Por, tek qendra e vaksinimit “1 Tetori” në Prishtinë janë krijuar radhë të gjata, duke shkaktuar tollovi të madhe para hyrjes së sallës, ndërkohë që për këtë, Policia e Kosovës është detyruar të intervenojë.

Disa nga të moshuarit thanë se janë duke pritur që ta marrin vaksinën qe më shumë se dy orë.

Vaksinimi i personave mbi 65 vjet do të vazhdojë sot në Prishtinë por edhe në Qendrat e Mjekësisë Familjare nëpër komuna të tjera të Kosovës.
Personat mbi këtë moshë mund t’i drejtohen qendrave të vaksinimit duke filluar nga ora 08:00 deri në ora 19:30, deri më 16 maj.

Ndërkohë me anë të një shkrimi në Facebook ka reaguar kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiuku.

“Ky s’është vaksinim. Është akt i dërgimit të t’moshuarve në përballje për jetën. Një Qeveri e tërë në gjumë”, ka shkruar Abdixhku.

Edhe ushtruesi i detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike të Kososvës, Enver Hoxhaj, tha se “është për keqardhje të shohësh prindërit e gjyshërit tanë në këtë gjendje”.

“Të dëshpëruar për një̈ vaksinë e cila nuk u erdhi për një̈ kohë të gjatë, tani të shtyhen me njëri-tjetrin sepse Qeveria nuk ka ditur të organizoj një proces të thjeshtë̈ vaksinimi. Kështu, më shumë ekziston rreziku që ata të infektohen me COVID, sesa mundësia që të vaksinohen. Kjo është̈ pasqyra e një̈ qeverisje pa plan e program. Pa dije e përvojë̈ për të ndihmuar qytetarët e saj. E dhimbshme. Shumë e dhimbshme”, ka shkruar Hoxhaj në Facebook.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore