Lajme

Publikohen dokumentet sekrete për samitin e G7 në vitin 2015


Dokumente sekrete të policisë gjermane në lidhje me organizimin e samitit të G7-ës në vitin 2015, u bënë publike në internet.

Kjo, pak para fillimit të samitit të G7-ës, i cili do të mbahet në kështjellën bavareze të Elmau-t nga data 26 deri më 28 qershor nën drejtimin e kancelarit gjerman Olaf Scholz.

Lajmi u bë i ditur nga transmetuesi gjerman “Deutsche Welle”, duke cituar radion publike “Bayerische Rundfunk”.

Të dielën e 19 qershorit, të dhënat e ndjeshme ishin të disponueshme në një faqe interneti që Zyra Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës (BfV) e lidh me mbështetësit e ekstremistëve të majtë.

“Bayerische Rundfunk” ishte e para që raportoi rrjedhjen e dokumenteve konfidenciale.

Ndërkohë, disa burime në agjencitë e sigurisë kanë konfirmuar për agjencinë DPA vërtetësinë e tyre. Policia po heton për ngjarjen.

Ndër të tjera bëhet fjalë për udhëzime për ndalimin, sigurimin e makinave të policisë dhe konceptin e deeskalimit, saktësojnë gazetarët.

Gjithashtu u publikuan numrat e celularëve të disa punonjësve të lartë të policisë dhe të dhënat për kanalet digjitale të komunikimit që përdor policia.

Ende nuk dihet se kush i publikoi të gjitha këto informacione i pari në rrjet.

Siguria në samitin e G-7 në vitin 2015 u monitorua nga 18 mijë oficerë policie.

Duke komentuar rrjedhjen e të dhënave, ministri i Brendshëm bavarez Joachim Herrmann tha se për momentin, policia supozoi se incidenti nuk do të kishte një ndikim kritik në sigurinë e samitit të këtij viti.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore