Lajme

Pse mund ta fitojë Kina garën e re globale të armëve?


Me lëshimin e një aeroplanmbajtëse të re, Kina po ndërton forcat e saj të armatosura me një ritëm të shpejtë.

Për këtë, shumë vëzhgues perëndimorë besojnë se është duke u zhvilluar një ndryshim i thellë në ekuilibrin global të fuqisë ushtarake.

Presidenti Xi Jinping ka urdhëruar që forcat e armatosura të modernizohen deri në vitin 2035. Dhe se duhet të bëhen një fuqi ushtarake “e klasit botëror”, e aftë të “luftojë dhe të fitojë luftëra” deri në vitin 2049.

Fujian, një aeroplanmbajtëse e tipit 003, është luftanija më e avancuar e ndërtuar ndonjëherë në Kinë.

Ajo është aeroplanmbajtësja e tretë e Kinës dhe, ndryshe nga dy të tjerat, është projektuar nga inxhinierë kinezë.

Sipas ekspertëve ushtarakë, sistemi i lëshimit të avionëve elektromagnetik të Fujian është një përparim i rëndësishëm për marinën e Kinës, duke lejuar që avionët të vendosen më shpejt dhe duke i mundësuar anijes të mbajë aeroplanë më të rëndë.

Ende mbetet e paqartë se sa kohë do të duhet për të testuar dhe pajisur plotësisht Fujian dhe kur do të hyjë në shërbim,.

Për analistët, ka ardhur koha të bëhet një ekzaminim i tendencave pasi është më se i dobishëm.

Tani për tani, SHBA-të mbajnë një epërsi të fortë në shumë aftësi detare, me 11 aeroplanmbajtëse dhe më shumë nëndetëse dhe shkatërrues me energji bërthamore.

Por Kina pritet të zgjerojë më tej marinën e saj.

Marina amerikane parashikon që midis viteve 2020 dhe 2040, numri i përgjithshëm i anijeve të marinës kineze do të rritet me gati 40 për qind.

Sakaq, Kina është kritikuar nga disa ekspertë ndërkombëtarë për “mungesë transparence” mbi shpenzimet për mbrojtjen dhe “raportim jo konsistent të shifrave”.

Edhe pse Pekini i publikon të dhënat zyrtare të shpenzimeve, vlerësimet perëndimore për mbështetjen financiare të Kinës për forcat e armatosura shpesh janë më të larta.

Besohet se Kina shpenzon më shumë për forcat e saj të armatosura se çdo vend tjetër përveç SHBA-ve.

Madje, rritja e buxhetit ushtarak prej saj ka tejkaluar rritjen e përgjithshme ekonomike për të paktën një dekadë.

E ardhmja hipersonike

Raketat hipersonike udhëtojnë me më shumë se pesë herë shpejtësinë e zërit.

Ato nuk janë aq të shpejta sa raketat balistike ndërkontinentale, por janë aq të vështira për t’u zbuluar gjatë fluturimit, saqë mund t’i bëjnë të padobishme disa mbrojtje ajrore.

Kina e ka mohuar testimin e raketave hipersonike, por ekspertët perëndimorë besojnë se dy lëshime raketash verën e kaluar tregojnë se ushtria e saj është në rrugën për t’i blerë ato.

Është e paqartë se çfarë sistemesh mund të zhvillojë Kina. Megjithatë, ekzistojnë dy lloje kryesore.

Raketat hipersonike që qëndrojnë brenda atmosferës së Tokës dhe sistemet e bombardimit orbital të pjesshëm (FOBS) që fluturojnë në orbitë të ulët përpara se të përshpejtohen drejt një objektivi.

Është e mundur që Kina mund të ketë pasur sukses në kombinimin e dy sistemeve, duke gjuajtur një raketë hipersonike nga një anije kozmike e manovrueshme FOBS.

Inteligjenca artificiale dhe sulmet kibernetike

Tanimë, Kina është plotësisht e përkushtuar për zhvillimin e një lufte “të inteligjencës” ose metodave të ardhshme ushtarake të bazuara në teknologjitë përçarëse.

Veçanërisht në inteligjencën artificiale.

Raportet sugjerojnë se Kina mund të përdorë inteligjencën artificiale në robotikën ushtarake dhe sistemet e drejtimit të raketave, si dhe mjete ajrore pa pilot dhe anije detare pa pilot.

Kina ka kryer tashmë operacione kibernetike në shkallë të gjerë jashtë vendit.

Mbretëria e Bashkuar, SHBA-të dhe Bashkimi Evropian e kanë akuzuar më herët Kinën për kryerjen e një sulmi të madh kibernetik që synonte serverët e Microsoft Exchange.

Besohet se sulmi preku të paktën 30 mijë organizata në mbarë botën dhe synonte të mundësonte spiunazh në shkallë të gjerë, duke përfshirë marrjen e informacionit personal dhe pronës intelektuale.

Marrë nga “BBC”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore