Bota

Protesta dhe përleshje në Tunizi


Protesta dhe përleshje me policinë tuniziane, këtë të dielë, në kryeqytetin Tunis dhe në 15 qytete të tjera.

Trazirat kanë ardhur si pasojē e krizës ekonomike të paprecedentë në të cilë gjendet Tunizia.

Zyrtari i Ministrisë së Mbrojtjes, Mohamed Zekri, tha për redaksinë e lajmeve Reuters, që në katër qytete u kërkua ndërhyrja e ushtrisë për të mbrojtur ndërtesat qeveritare.

Protestuesit nuk paraqitën kërkesa të qarta, prandaj autoritetet i konsideruan si trazira të paligjshme në të paktën 10 qytete.

Në zonën e shkatërruar, Ettadamen, pjesë e kryeqytetit, protestuesit, shumica e tyre adoleshentë, bllokuan rrugët dhe goditën policinë me objekte të forta. Autoriteteve iu desh të përdorin ujë me presion dhe gaz lotsjellës që të shpërndanin turmat.

Mhadia, Sousse, Bizert, Kairaouan, Kebeli, Seliana, Nabeul, Manouba Gafsa dhe Monastir ishin ndër qytetet tjera që iu bashkuan protestave të dhunshme të dielën.

Dëshmitarët thanë për Reuters-in që protestuesit kishin thyer xhama dhe bastisur disa dyqane.

Zëdhënësi i Forcave të Brendshme të Sigurisë, Walid Hkima, tha se policia kreu 242 arrestime, shumica adoleshentë. Sipas Hkima-s ata u kapën duke dhunuar pronën private, duke plaçkitur dyqane apo dhe banka.

Një dekadë pas revolucionit, Pranverës arabe, kundër varfërisë, korrupsionit dhe padrejtësive, demokracia tuniziane ka bërë hapa përpara, por situata ekonomike është ende në gjendje të mjerueshme.

Vendi ndodhet në prag falimentimi, ndërkohë që administrata publike gjendet në situatë të vështirë.

Prodhimi i Brendshëm Bruto (PBB) është tkurrur me 9% vitin e kaluar, çmimet e konsumit janë ngritur dhe një e treta e të rinjve janë të papunë.

Sektori kryesor i ekonomisë në Tunizi është turizmi, tashmë i gjunjëzuar që në përleshjet e armatosura të 2015-ës. Vitin e fundit, këtij sektori i është dhënë një goditje negative nga pandemia.

Protestat po sfidojnë qeverinë e Hicham Mechichi, i cili ka riorganizuar kabinetin e tij në mënyrë që të kishte më shumë ndikim politik.
Rajonet rurale në qendër dhe më jug të vendit mbeten pikat kryesore për trazira./AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore