Shqipëria

Problemi s’është Sheriati, por talebanët


Rokada e pushtetit të dielën e 15 gushtit në Afganistan, turbulloi ujërat e politikës botërore, në një ngjarje, e cila mund të jetë ajo më e mediatizuara e vitit 2021.

Ndër gjithë pikëpyetjet e ngritura, ajo më kryesorja – ndoshta – ka qenë problematika mbi të drejtat e grave, mbi jetesën e tyre, integrimin social dhe diktatin e ligjit të Sheriatit.

Gjatë 20 vjetëve të zbarkimit amerikan në Afganistan, duke zhbërë regjimin taleban, është pretenduar se është arritur një emancipim i shoqërisë afgane, mbi të gjitha kundrejt grave e vajzave.

Ndaj, me rikthimin e ligjit të Sheriatit, frika mbizotëron në bazë të ngjarjeve të shkuara.

Jo të pakta kanë qenë herët kur njerëz janë torturuar, ekzekutuar apo gurëzuar, duke përmendur ligjet e Sheriatit. Bujë, kanë bërë edhe rastet e talebanëve.

Por, çfarë është Sheriati në të vërtetë?

Teologu Sajmir Ismaili, shpjegon për Albanian Post se, Sheriati, është ligji fetar islam. Mirëpo të tillë ligj, ka çdo fe qiellore, apo e njohur si abrahamike. Pra, një formë legjislacioni.

Sheriati në bazë ka librin e shenjtë të Kuranit.

Ai mund të interpretohet si një formë e Kodit Penal, ku ligjet janë sanksionuar nga teksti hyjnor. Fjala bie, për çdo vepër kriminale apo imorale, ka dënime dhe ndëshkime, të cilat reflektohen në Sheriat.

Studiuesi dhe lektori i Islamit pranë Institutit të Kulturës dhe Shoqërisë Myslimane në Universitetin e Berlinit, Besnik Sinani, argumenton për Albanian Post nga ana tjetër se “Sheriati, është pjesërisht Kod Penal”.

Madje, vetëm rreth 10% e tij, ka përmbajtje, e cila mund të quhet “ligjore”. Ndërsa, pjesa tjetër, ka të bëjë me ritet fetare.

Ngjashmërinë me traditat hebraike, i pohon edhe ai.

Ndëshkimet janë të shumta, por ai më i përmenduri, është dënimi i ekzekutimit – kryesisht ai me gurëzim. Personi, në këtë akt, qëllohet me gurë deri në çastin e vdekjes.

Ndër veprat që dënohen me të tillë ndëshkim, është edhe imoraliteti, apo tradhtia bashkëshortore.

Ismaili, e quan të vërtetë praninë e këtij ligji në Sheriat. Por, jo ashtu sikur shitet gjerësisht. Kjo, pasi ka parakushte shumë të fortë, në mënyrë që të shkohet në atë dënim.

Rastet sipas tij të gurëzimit në Islam – në atë të vërtetin – numërohen me gishtat e njërës dorë. Ndërsa ato të talebanëve në Afganistan, janë keqinterpretime të Sheriatit.

Sheriati dhe talebanët

“Ka 20 vjet që bëhet e njëjta pyetje, a thua se ligjet e Sheriatit na bëjnë të kuptojmë çfarë po ndodh në Afganistan. Një nga mënyra e sponsorizimit të luftës së talebanëve, është shitja e heroinës. Si rrjedhim, në bazë të ligjeve të Sheriatit, talebanët duhen dënuar me vdekje ose minimalisht të burgosen për këtë. Si mundet pra, të kuptojmë talebanët nëpërmjet Sheriatit?”.

Është kjo paranteza që shtron Sinani, kur përqas çështjen e talebanëve.

Sipas tij, Sheriati aplikohet në vende të ndryshme, në mënyra të ndryshme. Për shembull, ai i talebanëve, apo pashtunëve siç njihen në përcaktimin social, është një Sheriat i përzier me norma tribale.

Ligjet tribale funksionojnë në mënyrë thuajse paralele me Sheriatin, në ato struktura që njihen si Gjykata në Afganistan.

Për shkak të kësaj, kodet tribale janë esenciale për t’u bashkëngjitur në konceptin taleban të Sheriatit. Ndaj, si e tillë, një përkufizim i talebanëve vetëm nëpërmjet Sheriatit, është i mangët.

Të njëjtën gjë e pohon edhe Ismaili, i cili thekson se Afganistani jeton më së shumti me ligje fisnore. Kodet e forta morale, kanë më shumë spektër social se sa fetar.

Mbi të gjitha, dhënia bllok e informacioneve, pa përpunim, krijon keqinterpretime.

Problemi i gruas

Në perceptimin e gjerë mediatik e publik, Sheriati rëndon shumë mbi gratë. Kjo, për shkak të një shtypjeje që i bën në vlera sociale gruas, duke e rrënjëzuar thjesht në një vlerë familjare.

Megjithatë, Ismaili sqaron se nuk është kështu.

Sipas tij, Sheriati nuk rëndon mbi gratë. Madje, ai lejon që ato të kryejnë çdo profesion që dëshirojnë. Mund të jenë mësuese, mjeke, gjykatëse, prokurore, ministre, kryeministre apo presidente.

Mjafton parakushti që pushteti i tyre, të mos jetë unicentrik.

Shqetësimin e madh të ngritur, ai ia atribuon sjelljes së shkuar talebane dhe mediatizimit të rasteve të veçuara.

“Gratë trajtohen ashtu në Afganistan, sepse është norma sociale e tillë. Por, ligji në vetvete, nuk i dënon ato”.

Mbi dënimet kapitale, ai e thotë qartë se edhe burrat janë vënë nën të tillë gjykim, por mediat, për shkak edhe të ndjeshmërisë më të madhe, ka përshfaqur më së shumti rastet e grave të gurëzuara.

Sinani, mendon se ardhja në pushtet e talebanëve, është në dëm të grave. Gjithsesi, jo në gjithë Afganistanin. Për të, qytetet e mëdha janë më të prekura.

Kjo ndodh sepse zonat jashtë qytetëse, janë larg shtetit të centralizuar. Në 20 vjet, pushteti ishte vetëm në kryeqytet, në Kabul.

Ndaj, përpara se të jetë çështje Sheriati, është një tregues i dështimit të shtetformimit.

S’është Sheriati, por talebanët

Të gjitha zhvillimet e fundit për studiuesin Sinani, duket të shihen në tërësi. Mbi të gjitha, duhet të shihen si politike, gjeopolitike dhe etnike.

“Personi që sot do të bëhet president i talebanëve, ishte në burg në Pakistan dhe u kërkua lirimi nga SHBA-të. Kjo duhet të na shtyjë të mendojmë për paktet që janë bërë”.

Ky për të, është tregues i qartë i çështjes.

Mbi këtë parantezë, ai parashtron se përtej grupit etnik të pashtunëve, asnjë etni tjetër nuk ka shtrirje për të krijuar Qeveri të përgjithshme në Afganistan.

Një nga mënyrat e sponsorizimit të luftës tek talebanët, është shitja e heroinës. Ky është një paradoks në vetvete, se si një grupim që kërkon të sjellë Sheriatin si ligj, bie pre vetë e ndëshkimit kapital, nëse do të merrej parasysh.

Pra, nëse ligji i Sheriatit do të zbatohej – jo paradoksalisht – do të kishim ndëshkim kapital ndaj talebanëve.

Gjë, të cilën nuk e kemi sot.

Për këtë arsye, pyetja që duhet shtruar për Sinanin, nuk është ajo mbi Sheriatin, e cila del në dritë sa herë ka ngjarje të tilla, por reflektimi i situatës politikës-sociale në 20 vjetët e fundit në Afganistan.

Sipas tij, situata nuk ka qenë shumë e ndryshme në dy dekada. Fakti që pyetjet i shtrojmë kur marrin talebanët pushtetin, krijojnë një diskordancë historike.

Çdo përkufizim i dhënë për Sheriatin, nuk e përshkruan atë që po ndodh në Afganistan.

Pikërisht për këtë fakt, problemi i vërtetë, nuk është Sheriati në vetvete, por talebanët!

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore