Lajme

“Presidenti i një shteti kandidat për në BE feston muajin e mjaltit në Kinë”, Cramon për Vuçiçin


Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, e ka kritikuar presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç për udhëtimin e tij në Kinë, ku do të marrë pjesë në Forumin e tretë të Bashkëpunimit Ndërkombëtar, “Një Brez, një Rrugë”, derisa në Tiranë po mbahet Samiti i Procesit të Berlinit.

“Ndërsa të gjithë po mblidhen për Procesin e Berlinit në Tiranë, Presidenti i një shteti ‘kandidat’ për në BE feston muajin e mjaltit në Kinë. Një sinjal edhe për BE-në”, ka shkruar ajo në platformën X.

Edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur para gazetarëve në Tiranë për vizitën e Vuçiç-it në Kinë.

Kurti ka potencuar se Vuçiç është i zënë në Kinë më vizitën atje, “me takimet me superfuqitë lindore”.

“Unë kam thënë le ta nënshkruajmë bashkë me kryeministren e Serbisë marrëveshjen bazike dhe aneksin e zbatimit, por nuk ishte e interesuar”, theksoi Kurti.

Ndërsa Vuçiç ka njoftuar se më 17 tetor do të ketë një takim dypalësh me presidentin kinez Xi Jinping dhe se në Pekin do të nënshkruhet një marrëveshje për tregtinë e lirë mes Serbisë dhe Kinës.

Mediat serbe raportojnë se gjatë këtij samiti mund të ndodhë edhe një takim mes Vuçiç dhe presidentit rus, Vladimir Putin, i cili do të marrë pjesë në eventin që mbahet në Pekin.

Por, për shkak të forcimit të bashkëpunimit me Kinën, ai është kritikuar vazhdimisht nga Brukseli dhe Uashingtoni.

Një samit me përfaqësues të 130 vendeve do mbahet në Pekin më 17 dhe 18 tetor, duke shënuar dekadën e Iniciativës Brez dhe Rrugë (BRI) – projekti kryesor gjeopolitik i Presidentit Xi Jinping për të zgjeruar shtrirjen globale të Kinës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore