Kosova

Presidenti i Austrisë: Takimi në Ohër të shërbejë si gurthemel në procesin e normalizimit Kosovë-Serbi


Alexander Van der Bellen

Presidenti i Austrisë, Alexander Van der Bellen, gjatë vizitës së tij në Shqipëri, ka folur për Marrëveshjen e arritur në Ohër më 18 mars mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrënieve mes të dy vendeve.

Van der Bellen, në një konferencë të përbashkët me homologun e tij shqiptar, Bajram Begaj, vlerësoi përparësinë që ka dialogu Kosovë-Serbi nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, si dhe faktin që dy vendet janë  të ndërgjegjshme se pa marrëveshje nuk mund të jenë pjesë e BE.

“Mendoj që mund të ishte një gurthemel në procesin e – le të mos ta quajmë pajtim – por në procesin e normalizimit të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë. Siç e dini, në fakt u bë një lloj marrëveshjeje por në mungesë të një nënshkrimi zyrtar nga pjesëmarrësit”, tha ai.

Alexander Van der Bellen dhe Bajram Begaj

Ai theksoi se prej kohës kur presidenti i atëhershëm, Hashim Thaçi dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ishin takuar në Vjenë në kuadër të Forumit Evropian Alpbach, është bërë përparim i madh në procesin e dialogut.

“Ka qenë goxha përparësi që u fol direkt njëri me tjetrin edhe pse nuk pati rezultate konkrete, por palët biseduan së bashku nga afër. Dialogu midis këtyre vendeve sigurisht që është i vështirë, por të dy janë të ndërgjegjshëm që pa marrëveshje nga të dyja palët, të dyja vendet nuk do kenë të ardhme drejt BE-së”, shtoi Van der Bellen.

Kosova dhe Serbia dhanë dakordimin e tyre për Aneksin zbatues të Planit Evropian për rrugën drejt normalizimit. Ky dakordim iu dha përfaqësuesve evropianë – Miroslav Lajçak dhe Josep Borrell – me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara.

Përfaqësuesit e BE-së ia bashkëngjitën këtë letër Propozimit Evropian të dakorduar më herët, më 27 shkurt, dhe shpallën se tashmë kanë një dokument të dakorduar në tërësi. Ky dokument i dakorduar në tërësi, të hënën iu paraqit Këshillit Evropian dhe ata e mirëpritën.

BE-ja tash këtë e konsideron si dokument, të cilin e bën pjesë ligjore të marrëdhënieve kontraktuale me Serbinë në kapitullin 35 të negociatave për anëtarësim në BE, gjegjësisht të marrëdhënieve të veta kontraktuale me Kosovën në aranzhimin special të Marrëveshjes për Stabilizim Asociim.

Presidenti austriak nis vizitën në Shqipëri, pritet nga Begaj

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore