Lajme

Politikanja austriake: Kosova duhet ta gjejë modelin e vet për Asociacionin


Bettina Rausch

Bettina Rausch, presidentja e Akademisë Politike të Partisë Popullore të Austrisë (OVP), në një intervistë për “Klan Kosova“, tha se autoritetet kosovare duhet të propozojnë vetë një model si do të konstuktohet Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë.

Në këtë kontekst, tashmë po përmenden edhe modele të ndryshme në Evropë që do të mund të përdoreshin si shembull për të themeluar Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë. Janë përmendur populli Sami në vendet nordike, por më shumë se gjithë të tjerët ai i Tirolit Jugor në Itali.

“E di që ka publikisht një sugjerim dhe bisedimet do të vazhdojnë, por unë mendoj se duhet të gjendet një drejtim vetanak. Kjo do të jetë e lodhshme dhe do të kërkojë fuqi dhe përkushtim nga të dyja palët. Ky do jetë proces i zorshëm, kërkon përkushtim nga të dyja palët dhe se zgjidhjet nga jashtë nuk janë kurrë gjëja e duhur”, tha ajo.

Ajo tha se ndër prioritetet e politikës së jashtme të Austrisë është integrimi i Kosovës dhe gjithë Ballkanit Perëndimor në Bashkim Evropian, ndërsa vlerësoi edhe progresin e Kosovës në rrugën drejt anëtarësimin në Këshillin e Evropës.

“Në bazën bileaterale Austria tani mund të bëjë shumë. Në nivelin evropian politikanët tanë, këtu  mund të flas edhe për kolegët nga Komisioni Parlamentar për Punë të Jashtme, gjithnjë e ngrenë zërin që investimet e rajonit, e pikësëpari të Kosovës nuk do humbasin në këtë kohë turbulente”.

“Është e rëndësishme dhe e bukur që Kosova e do këtë sepse në ditë të sotshme kjo nuk është më e vetëkuptueshme që ka shtete demokratike, mjafton të shikohet çka po ndodh në botë dhe në Evropë, po ashtu. Mendoj që jo vetëm Kosova ka nevojë për Austrinë, por bota demokratike ka nevojë për Kosovën”, shtoi ajo.

Rausch po qëndron në Kosovë së bashku me delegacionin nga Partia Popullore e Austrisë, në përbërje nga deputetë dhe këshilltarë austriakë, të kryesuar nga deputeti i Parlamentit Evropian, Lucas Mandl, i cili ka marrë pjesë në ceremoninë e themelimit të Shoqatës së Miqësisë Austriako-Kosovare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore