Kosova

Policia për vendosjen e kamerave në Veri: Angazhim për sigurinë publike


Ilustrim nga arkivi.

Policia e Kosovës dhe Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP), kanë njoftuar se me vendosjen e kamerave të sigurisë në katër komunat në Veri, janë duke u angazhuar për sigurinë publike.

Përmes një komunikate dërguar mediave nga këto dy institucione është thënë se të dyja palët po angazhohen për të mbrojtur qytetarët nga ndonjë rrezik potencial.

“Policia e Kosovës është e autorizuar të bëjë vëzhgim parandalues të vendit publik, duke përdorë pajisje për incizime video-akustike dhe pajisje fotografike për t’i vëzhguar vendet publike ku në të kaluarën shpesh janë kryer vepra penale”.

“Apo ku ka arsye të bazuar të besohet se vëzhgimi publik do ta zvogëlonte rrezikun nga kryerja e veprave penale dhe do ta përmirësonte sigurinë publike në të ardhmen, në pajtim me Kodin e Procedurës Penale”, thuhet në njoftimin e këtyre dy institucioneve.

Tutje, nga policia u theksua se të gjitha veprimet për vendosjen e sistemit të vëzhgimit me kamerë janë kryer në prezencë të inspektorëve të AIP-së.

“Nëpërmjet kësaj nisme, Policia e Kosovës dhe Agjencia për Informim dhe Privatësi theksojnë angazhimin e tyre për të mbrojtur dhe përmirësuar sigurinë publike, duke respektuar plotësisht kuadrin ligjor që rregullon mbrojtjen e të dhënave personale dhe të drejtat e qytetarëve”.

Policia e Kosovës, të premten, në disa lokacione në Mitrovicën e Veriut ka nisur instalimin e kamerave vëzhguese për të rritur sigurinë në qytet.

Lidhur me këtë vendim të premten reagoi Lista Serbe, e cila, konsideroi vendosjen e kamerave si “shkeljen më të tmerrshme të drejtës së privatësisë që komuniteti serb”.

Sipas zëvendësdrejtorit të Policisë së Kosovës pë rajonin e Veriut, Veton Elshani, kamerat e instaluara do t’i kontribuojnë Policisë së Kosovës që rastet t’i zgjidhë më shpejt dhe në mënyrë më efikase.

Megjithatë Lista Serbe pretendoi se vendosja e kamerave po bëhet “pa asnjë bazë ligjore”, meqë askush nuk ka dhënë përgjigje se “kush do t’i kontrollojë ato”.

Pos kësaj, Lista Serbe kërkoi edhe largimin e menjëhershëm të tyre me arsyetimin e mbrojtjes së privatësisë së qytetarëve.

“Kërkojmë dhe reagimin e shteteve të QUINT-it dhe të misioneve ndërkombëtare, para së gjithash EULEX-it, UNMIK-ut, KFOR-it dhe Zyrës së Bashkimi Evropian në Kosovë për këtë shkelje drastike të të drejtave të qytetarëve tanë”, thuhej në komunikatën për media.

Lidhur me vendosjen e kamerave dhe pretendimeve të Listës Serbe, të shtunën kishte reaguar edhe Qeveria e Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore