Lajme

“Po shpifet për shtesat”


Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve në Kosovë, Hekuran Murati, në seancën plenare ka thënë se nuk duhet të “të shpifet” për uljen e shtesave apo marrjen e një vendimi kundër pensionistëve apo kategorive tjera.

Sipas tij, gjendja me sistemin pensional nuk është e mirë sidomos për pensionistët kontribut dhënës të cilëve “u është bërë padrejtësia me prerjen e 15 vjetëve të përvojës së punës”.

“Për të lëvizur tutje duhet të punojmë dhe merr kohë, nuk mund të bëhet diçka e tillë që në start në një situatë pandemie për shkak se flasim për shuma të mëdha dhe ngarkesa të mëdha buxhetore”, është shprehur Murati.

Ai duke iu drejtuar partive opozitare ka thënë se qeveria e kaluar vendimin për shtesa e ka marrë vetëm atëherë kur e kanë ditur se vendi do të shkojë në zgjedhje parlamentare.

“Nëse i kthehemi aplikimit të shtesave për pensione ka pasur prej muajit prill e deri në dhjetor të vitit 2020, pensionistët nuk kanë marrë shtesa, qeveria e kaluar vendimin e ka marrë në janar tek kur është ditur se do të shkojmë në zgjedhje, do të thotë keni bërë fushatë zgjedhore”, ka deklaruar ai.

Sipas tij, sa për krahasim Kosova mund të jetë vendi  i vetëm në botë ku proporcionin e të punësuarve në tregun e punës karshi personave që marrin pensione apo transfere të tjera sociale e ka një me një.

Ky proporcion sipas Muratit, ideal do të ishte kur tre të punësuar paguajnë tatim për ta mirëmbajtur një pensioner.

“Në Kosovë e kemi 1-1, pra i kemi rreth 300 mijë të punësuar dhe i kemi rreth 300 mijë përfitues të skemave pensionale dhe sociale”, shtoi ai.

Kostoja aktualisht në këto skema në kushte të rregullta “është rreth 500 milionë euro, kostoja që po kërkohet të shtohet, bëhet fjalë nëse aplikohet gjatë tërë vitit për 94 milionë euro”.

Në anën tjetër, për shefin e Grupit Parlamentar nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, vendimi i Qeverisë së Kosovës i udhëhequr nga kryeministri Kurti, për shtesat, për skemat pensionale dhe sociale, personelin shëndetësor dhe zyrtarët policor, është një nga vendimet e para “më të gabuara dhe më skandaloze”.

“Kurti ka shpërfillur dhe injoruar shëndetin dhe mirëqenien e mbi 150 mijë pensionistëve, mbi 13 mijë staf profesional e shëndetësor dhe nëntë mijë e 911 policë dhe staf të tjerë të sigurisë që për çdo ditë merren me sigurinë publike, që kanë marrë detyra shtesë në mbrojtjen dhe ballafaqimin e pandemisë COVID-19 si dhe drejtpërdrejt rrezikojnë jetën e tyre dhe familjarëve të tyre”, ka thënë ai.

Sipas Tahirit, kjo shtesë nuk është asgjë më shumë veç se një kompensim minimal që iu bëhet njerëzve që punojnë e që bëjnë punë shtesë në këtë kohë pandemie dhe pensionistëve që e kanë pasur këtë shtesë në qeverinë e kaluar.

“Vendimi i Qeverisë së Kosovës për mos vazhdimin e dhënies së shtesës prej 30 eurove për përfituesit e skemave pensionale dhe sociale, që përfitojnë deri në 100 euro është në rend të parë një mos njohje e kontributit jetësor të pensionistëve tanë që vazhdimisht janë përballur me sfida dhe kanë mbajtur mbi supet e tyre gjithë peshën e ndryshimeve shoqërore në vend deri më tani”.

Vlera prej 4.5 milionë eurove sipas deputetit të AAK-së, nuk asnjë ndikim negativ në shpenzimet buxhetore.

“Pensionistët nuk e kanë luksin të ruajnë para por me këto mjete ata ndikojnë drejtpërdrejt në rritjen e kërkesës agregate pasi që ata menjëherë i shpenzojnë këto mjete”, ka thënë ai.

Sipas tij, masa prej 30 euro shtesë për pensionistët ka ndikim të dyfishtë pozitiv, në rend të parë në uljen e rrezikut shëndetësor dhe rritjen e mirëqenies së tyre dhe në ndikimin e rritjes së menjëhershme të konsumit për 4.5 milionë euro në muaj dhe rrjedhimisht rritjen e shitjeve të bizneseve për këtë vlerë.

Tahiri ka kërkuar nga kryeministri Kurti, që vendimi i qeverisë së tij të anulohet.

“Është shumë e domosdoshme që vendimi i Qeverisë Kurti të anulohet dhe të shihet mundësia e rritjes së kësaj vlere që sado pak të rrisim përkujdesjen shëndetësore të kategorisë më të rrezikuar dhe më të injoruar të shoqërisë”.

Ai u ka parashtruar dy pyetje Kurtit dhe Muratit, duke iu thënë se “a do të duhej të ishte ky një ndër vendimet e para të qeverisë Kurti duke e pasur parasysh se ky vendim është pasuar me një vendim tjetër skandaloz duke iu dhënë 11 milionë euro për pagesën e rrymës në veri të Kosovës, dhe pse e është marrë ky vendim, ku është analiza e baza e saj”.

Seanca është ndërprerë për një pauzë dhe do të vazhdojë në orën 14:30.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore