Lajme

Phillips: Asociacioni veprim i gabuar, Kosova të kërkojë të drejta për shqiptarët e Preshevës


Drejtori i Programit për Paqen dhe të Drejtat në Universitetin “Columbia”, David Phillips, ka thënë se Kosova duhet të kërkojë të drejta për shqiptarët e Preshevës në Serbi, në mënyrë që t’i barazojë ato me të drejtat që kanë serbët në Kosovë.

Sipas Phillips, edhe ideja e asociacionit është “e tepërt”, ndërsa nuk ka hezituar ta quaj veprim “të gabuar”, marrëveshjen e nënshkruar për asociacionin nga ish- kryeministri kosovar i asaj kohe, Hashim Thaqi.

David Phillips.

“Nëse Kosova ecën para me Marrëveshjen e Asociacionit ndaj së cilës është e obliguar, duhet të bëhet në simetri me trajtimin që Serbia i bënë pakicës shqiptare në Preshevë”.

“Asociacioni është i tepërt. Kushtetuta e Kosovës parasheh një seri masash në mbrojtjen dhe promovimin e pakicave, të cilat po ashtu mbrohen nga parimet e Ahtisarit. Marrëveshja që zoti Thaçi kishte bërë për Asociacionin ishte e keqe që në fillim”, ka thënë Phillips në një intervistë për RTV Dukagjini.

Mes tjerash, sipas tij, nga Brukseli po presin që Kosova të gjejë sa më parë ndonjë modalitet për zbatimin e Marrëveshjes së Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Philips thotë se Asociacioni do të krijonte ndarje të mëdha në veri të vendit dhe do të minonte sovranitetin e vendit.

Gjithashtu, Gjykata Kushtetuese e Kosovës kishte gjetur se disa pika të Marrëveshjes për Asociacionin binin ndesh me Kushtetutën e Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore