Euro 2020

Pesë më të mirët e finales


Italia ia ka dalur ta rrëmbejë trofeun e Euro 2020 në “Wembley” përballë Anglisë vendase. Për italianët kjo ishte finalja e katërt dhe trofeu i dytë në këtë kompeticion, ndërsa për anglezët ishte finalja e parë në historinë e tyre.

Mjeshtëria e Gianluigi Donnarumma-s në pritjen e panalltive, ishte vendimtare në fitoren e Italisë.

Luke Shaw kaloi në avantazh Anglinë, pas një krosimi të shkëlqyer nga Kieran Trippier-i, që në minutën e dytë të takimit. Megjithatë, italianët barazuan në pjesën e dytë me anë të Leonardo Bonucci-t.

Ndeshja shkoi në kohën shtesë të 30-të minutave, por rezultati nuk ndryshoi dhe atëherë u nevojitën penalltitë. Italianët u treguan më të saktë nga pika e bardhë, duke mposhtur Anglinë me rezultatin 3-2.

Por, kush ishin pesë lojtarët më të mirë në finalen e Euro 2020?

5- Harry Kane, Anglia

Kane ishte padyshim lojtari më i mirë në pjesën e parë. Ai madje pasoi për te Trippier-i, topin nga i cili erdhi goli i Shaw-t.

Lojtari i Tottenham-it ndërmori iniciativa dhe ishte i shkëlqyer në kontrollin e topit, sa dukej e pamundur që topi të largohej prej tij nga mbrojtja italiane. Megjithatë me kalimin e minutave, nga pjesa e dytë dhe në vazhdim, ndikimi i 27-vjeçarit në fushën e lojës, ishte gjithënjë e më i pakët.

4- Federico Chiesa, Italia

Chiesa ishte një nga lojtarët më të mirë të Italisë, si në finale, ashtu edhe përgjatë turneut. Lojtari i Juventus-it tregoi cilësi të jashtëzakonshme në Euro 2020.

23-vjeçari ndërmerte iniciativa, teksa sulmonte përpara me topin, duke krijuar panik në mbrojtjen e “Tre Luanëve”. Ai krijoi një aksion personal të përsosur, por u desh magjia e Jordan Pickford-it për ta ndalur në sekondën e fundit.

Anësori i dha shumë ritëm Italisë dhe shumë momente emocionuese. Ai ishte një punëtor i palodhur gjithë ndeshjen. Chiesa u detyrua të largohej nga fusha e lojës për shkak dëmtimi në minutën e 86-të.

3- Luke Shaw, Anglia

Shaw ka zhvilluar një Euro të paharrueshme. 26-vjeçari ishte shndruar në një tjetër lojtar këtë Evropian, ndryshe nga çfarë jemi mësuar ta shohim me Manchester United-in.

Ai ishte një nga yjet e Anglisë në gjithe ndeshjet e luajtura këtë turne, madje sa arriti të cilësohej nga shumë persona si Roberto Carlos-i i Anglisë.

Shaw shënoi golin e parë të takimit, duke mposhtur Donnarumma-n pas vetëm dy minutave lojë, çka e bëri golin më të shpejtë në historinë e një finale Euro.

Mbrojtësi i majtë, dallohej edhe në mbrojtje edhe në fazën sulmuese, pasi shtynte shumë përpara, por edhe për të me kalimin e kohës, filloj zbehja e ndikimit në fushë.

2- Gianluigi Donnarumma, Italia

Donnarumma pësoi golin e parë nga Shaw në minutën e dytë të ndeshjes, por arriti ta mbante portën e paprekur për 118-të minuta të tjera.

Pa më të voglin diskutim, portieri ishte një nga pikat kyçe të finales. Nëse nuk mund të bënte asgjë përballë Shaw-t, ndryshe ishte situata te penalltitë në fundin e takimit.

Dy pritjet e jashtëzakonshme të Donnarumma-s, ndaj Sancho-s dhe Saka-s, i dhanë triumfin Italisë. Në përfundim të takimit, përveç trofeut, ai rrëmbeu edhe çmimin si “Lojtari më i Mirë i Turneut”.

1- Leonardo Bonucci, Italia

Eksperienca e Bonucci-t luajti një rol të madh në këtë ndeshje. Së bashku me Giorgio Chiellini-n ishin pika e fortë e kësaj italie, solid në mbrojtje dhe qëndruan në fushë për 120-të minuta.

Bonucci tregoi se sa udhëheqës i mirë është. Ai i dha shpresë Italisë, me golin e shënuar, ku u gjet në vendin dhe kohën e duhur, teksa vendosi barazpeshën në ndeshje.

34-vjeçari shtoi shumë qetësi në parapvijën e Italisë dhe shënoi edhe penalltinë. I qëndrueshëm, i besueshëm dhe në fund arriti të rrëmbente edhe trofeun edhe çmimin si “Lojtari më i Mirë i Ndeshjes”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore