Lajme

Përmbyset varka me emigrantë në Greqi, dhjetëra të zhdukur


Dhjetra emigrantë janë zhdukur nga një varkë e përmbytur pasi roja bregdetare greke shpëtoi 29 persona prej saj në detin Egje.

Lajmi u bë i ditur nga agjencia “Reuters”.

Emigrantët e shpëtuar raportuan të mërkurën e 10 gushtit se varka e tyre ishte nisur nga Antalia për në Itali me 60 deri në 80 persona në bord.

Kjo, sipas një zyrtari të rojes bregdetare.

Varka u përmbys dhe u fundos pranë ishullit Karpathos në detin jugor Egje, tha zëdhënësi i rojes bregdetare, Nikos Kokkalas.

Operacioni i kërkim-shpëtimit filloi herët këtë mëngjes mes erërave të forta, shtoi ai.

Midis emigrantëve të shpëtuar janë afganë, iranianë dhe irakianë, tha një tjetër përfaqësues i rojes bregdetare në kushte anonimiteti.

Greqia ishte në ballë të krizës së migracionit në Evropë në vitet 2015 dhe 2016, kur një milion refugjatë që ikën nga lufta dhe varfëria në Siri, Irak dhe Afganistan mbërritën në vend, kryesisht nëpërmjet Turqisë.

Që prej asaj periudhe, numri i emigrantëve është ulur në mënyrë dramatike.

Por autoritetet greke thonë se kohët e fundit ka pasur një rritje të mprehtë të përpjekjeve për të kaluar ishujt e vendit dhe kufirin tokësor me Turqinë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore