Bota

Përgjumja e Biden apo e medias


Një video e postuar në mediat sociale të shtunën e 28 gushtit, e cila tregonte Presidentin e Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, të përgjumur gjatë një takimi me kryeministrin e Izraelit, Naftali Bennett është bërë virale edhe pse ishte e rreme.

Këto imazhe i vendosën lexuesit në një vorbull spekulimesh dhe ripostimesh.

Pamjet u postuan në Twitter edhe nga anëtarja e Knesset për Likud – Galit Distal Atbaryan.

“Për disa arsye, media izraelite vetë ra në gjumë dhe nuk e vuri re këtë moment historik”, shkroi Atbaryan.

Britanikja “Express” shkruan se në një moment të çuditshëm, Biden duket se e zë gjumi ndërsa kryeministri izraelit Bennett po i flet.

Me maskën e tij të fytyrës dhe duart e shtrënguara, “Biden duket se përgjumet ndërsa Bennett po flet”.

Joe i përgjumur

Hashtagu “Joe i përgjumur” u shfaq në Twitter gjatë 24 orëve të fundit mbi video-n e rreme.

Pamjet virale, të kapura nga CSPAN dhe media të tjera janë shpërndarë gjerësisht në rrjet.

Përdoruesit në kanalin e CSPAN-it në YouTube u tallën me pamjet.

Njëri prej tyre sugjeroi zëvendësimin e presidentit “me një copë letre dhe një video-regjistrues”, i cili “do të kishte më shumë prani dhe energji sesa vetë Biden”.

“Sleepy Joe” është një pseudonim i zgjedhur nga ish-presidenti Donald Trump gjatë fushatës së vitit 2020.

Përdorues të shumtë në Twitter kanë nxituar që të qartësojnë se pretendimet në lidhje me përgjumjen e presidentit, janë të rreme.

Gazetari i “Politico” dhe “Washington Post”, Lois Romano postoi në Twitter një status që mohon aludimin se presidenti “fjeti”.

Reporteri i CNN, Daniel Dale sugjeroi se përdorimi i përgjumjes së Biden është “e pakuptimtë”.

Dale vuri në dukje se duart e Biden po lëviznin përgjatë monologut të Bennett dhe vuri në dukje se ai u përgjigj menjëherë sapo kryeministri izraelit përfundoi së foluri.

Debati shpejt degjeneroi në debat simpatizantësh, midis demokratëve dhe republikanëve në SHBA dhe midis mbështetësve të Bennett dhe Benjamin Netanyahu në Izrael.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore