Shqipëria

Peleshi: Largohet rreziku i madh – shfaqet një vatër në Malin e Tërbunit


Ministri i Mbrojtjes në Shqipëri, Niko Peleshi, të enjten e 12 gushtit ka njoftuar se në të gjithë vendin kanë mbetur pak vatra zjarri.

Por, ai njoftoi për një vatër zjarri në zonën pyjore, në malin e Tërbunit në Pukë.

“Në Tërbun janë angazhuar forcat e shërbimit pyjor, të zjarrfikëses dhe Agjencisë së Zonave të Mbrojtura. Po ashtu dhe banorë të zonës për të vënë situatën nën kontroll”, u shpreh ai.

Më tej, ministri tha se “tashmë u fitua beteja në Karaburun e Dukat”.

Ndërkohë për sa u përket zonave veriore, aty ku zjarri ishte problematik, janë shuar të gjitha vatrat.

Përkatësisht vatrat që ishin në fshatrat Thirrë, Munellë e Domgjon në Bashkinë Mirditë janë shuar.

Nga ana tjetër, për sa u përket vatrave aktive mbetet ajo në fshatin Patalej në Bashkinë Lezhë.

“Në Patalej është angazhuar një mjet helikopter për shuarjen e flakëve nga ajri. Situata është nën kontroll”, bëri me dije Peleshi.

Për sa i përket Qarkut të Kukësit – që ishte dhe një nga më të prekurit nga zjarri – vijon të jetë aktive vatra në Majën e Runës.

“Në Majën e Runës situata është nën kontroll. Po punohet për shuarjen përfundimtare edhe të disa vatrave të vogla”.

Prej më shumë se një javë zjarret kapluan Shqipërinë. Për pasojë, çifti i bashkëshortëve nga Gjirokastra humbën jetën, teksa përpiqeshin të shuanin zjarrin.

Nga ana e Policisë po punohet për identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të autorëve të këtyre zjarrvënieve.

Deri më tani janë arrestuar dhjetëra persona, ndërsa të tjerë janë shpallur në kërkim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore