Shqipëria

Pas dy javësh shuhet zjarri në Gadishullin e Karaburunit


Nga Ministria e Mbrojtjes së Shqipërisë u njoftua se të mërkurën e 11 gushtit është shuar zjarri pas dy javësh në Gadishullin e Karaburunit.

“Më në fund pas 2 javësh mundi dhe sakrificash, nuk ka më vatra zjarri në Karaburun”, shkruhej në njoftimin e Ministrisë.

Më tej, ministria bën me dije se, pas qindra orë betejash, qindra trupa të Forcave të Armatosura e forcave zjarrfikëse, specialistë të zonave të mbrojtura dhe emergjencave civile kanë punuar për të shpëtuar Parkun Kombëtar të Llogarasë.

Po ashtu, Ministria e Mbrojtjes shprehet falënderuese në njoftim, për punën e palodhur të të gjitha forcave që ndihmuan në shuarjen e zjarrit.

Në përfundim të njoftimit, Ministria thekson se sfida vazhdon dhe se gatishmëria nuk do të mungojë në asnjë moment.

Situata e zjarreve 

Prej më shumë se një javë zjarret kanë kapluar Shqipërinë. Ndër qarqet më problematike vijon të ngelet Kukësi.

Forcat operacionale, të cilat janë në terren prej më shumë se një jave, janë përqendruar në Majën e Rrunës dhe vatrat e saj aktive.

Ndërkohë Forcat e Armatosura Shqiptare, së bashku me ndihmën e forcave të Kosovës, kanë mundësuar izolimin e vatrës te zona Qafa e Kumbullës.

Vatra te Laku i Mollës, që është në kufi me Pukën, vijon të jetë aktive me intensitet të lartë.

Kjo vatër e rrezikshme pritet që të afrohet në Pukë-Mirditë-Kukës, në zonën e quajtur Laku i Thive.

Edhe krahu Laku i Qershive vijon të mbetet problematike. Terreni ka ndërlikuar punën e forcave nga toka, si pasojë e pjerrësisë dhe zonës shkëmbore. Nuk ka akoma rrezik banesash.

Kukësi ishte ndër qarqet më të prekura nga zjarret. Fatmirësisht Tuneli i Kalimashit shpëtoi nga flakët, pasi u arrit në kohë neutralizmi i tyre përpara mbërritjes në tunel. E gjithë zona mbi kalimin tejpërtej malit ishte e kapluar nga zjarri.

Në qarkun e Lezhës, puna ka vijuar për shuarjen e flakëve në Munellë dhe Domgjon. Nga ana e Domgjonit, flakët janë izoluar. Gjithsesi, vatra ka shtrirje të gjerë në terren.

Në Qarkun e Korçës janë shfaqur vatra të reja zjarri. Përkatësisht në afërsi të fshatrave Gjonomadh dhe Krushovë ka rënë zjarr.

Për pasojë, janë djegur sipërfaqe pyjore me bimësi të ndryshme.

Në Bashkinë e Pogradecit, zona e mbrojtur e Gurit të Nikës, ka parë një riaktivizim të vatrës së zjarrit. Era e fortë e favorizon zjarrin në këtë vendndodhje. Situata mbetet në monitorim.

Një vatër e pazakontë ka qenë ajo e një depoje gomash të përdorura në Fushë-Krujë. Zjarri aty është drejt shuarjes.

Në Tomorr ka pasur riaktivizim të vatrave të zjarrit. Fshati Therepel në Skrapar, po ashtu është rrezikuar, por situata është vënë nën kontroll.

Zjarr ka rënë edhe në fshatin Kuç të Vorës, ku u dogj një sipërfaqe me shkurre.

Puna e koordinuar me partnerët ndërkombëtarë, po ashtu vijon në luftën me flakët.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore