Shqipëria

Pedagogët po kërcënohen nga politika për grevën e urisë, thotë Kovaçi


Kryetari i Sindikatës së Pedagogëve, Sandër Kovaçi, ka deklaruar se pedagogët që pritet të hyjnë në grevë urie janë shantazhuar nga politika.

Sipas tij, kjo është dëshmi se sa thellë ka hyrë politika në arsim.

Ai i ka drejtuar thirrje kryeministrit Edi Rama që të ndalojë sulmet dhe përbaltjet ndaj pedagogëve,

“Kundërvënie me plot fyerje, për një protestë paqësore, për një kauzë që i përket jo vetëm dinjitetit të intelektualëve të një vendi, por gjithë popullit, dëshmon se sa thellë ka hyrë politika në arsim”, ka thënë ai.

Për Kovaçin, protesta e pedagogëve dhe ky përshkallëzim, është një momentum i shtresës më të lartë shoqërore, e cila po përballet me të drejtat e mohuara.

“Ndaloni sulmet e paprincipta Kryeministër dhe përbaltjet e ulëta ndaj pedagogëve, të cilët janë duke ushtruar një të drejtë të garantuar me kushtetutë”, ka ravijëzuar ai.

Pedagogët e nisën vitin e ri akademik me protesta për kushte më të mira dhe rritje pagash, duke bojkotuar mësimin në universitetet publike.

Çfarë kërkojnë pedagogët?

Pedagogët kërkojnë rritje 50 për qind të pagave bazë sipas titujve shkencorë në dy faza, vlerësime për vjetërsinë në punë mbi 15 vjet dhe për orët e mbingarkesës shtesë në mësimdhënie, rritje të financimit për kërkimin shkencor, rivlerësim të orës mësimore leksion e seminar, rishikim të tatimit prej 23% mbi pagesën e ngarkesës shtesë, si dhe transparencë mbi buxhetin dhe të ardhurat e universiteteve publike.

Me rritjen prej 7 për qind, paga bruto e një lektori nga 90 mijë lekë bëhet 96 mijë lekë, e asistent lektorë nga 73 mijë shkon në 78 mijë lekë, ndërsa paga e një pedagogu me titullin profesor nga 121 mijë në 129 mijë lekë në muaj.

Protestuesit i kanë dërguar qeverisë një peticion me 9 kërkesa një muaj më parë, të nënshkruar nga mbi 85 për qind e pedagogëve në Tiranë e rrethe.

Ata thonë se ato janë të njëjtat kërkesa që qeveria socialiste i ka mbi tryezë qysh nga viti 2019, dhe nuk i plotëson, ndërsa gjendja e tyre sa vjen e rëndohet, aq sa aktualisht ata paguhen vetëm 5 euro për një orë leksioni dhe pagat e tyre dhe fondet për kërkim shkencor janë shumë më të ulëta në krahasim me Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut dhe pakrahasimisht të ulëta me vendet e Bashkimit Evropian.

Qeveria nxiti universitetet që, falë autonomisë së tyre, të shtojnë të ardhurat dhe fondet e tyre përmes projekteve dhe aplikimeve ndërkombëtare, duke përfituar më shumë para përmes punës së tyre konkrete shkencore.

Autoritetet shqiptare miratuan javën e kaluar një rritje prej 7 për qind të pagave në universitete dhe u krijoi mundësinë ligjore për një rritje të mëtejshme prej 8 për qind nga të ardhurat e tyre.

Qëndrimi i qeverisë shqiptare

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, deklaroi se nuk do të ketë asnjë të ashtuquajtur Veting për pedagogët.

“Mediat e angazhuara masivisht për ta paraqitur si masive protestën e një pakice pedagogësh, nën udhëheqjen e nongratave e të shiksave të tyre, flasin për gjoja një Veting që do bëka regjimi imagjinar për pedagogët! Asnjë Veting as do bëhet, as është thënë e as është e menduar!”, theksoi fillimisht Rama.

Sipas tij, rritja e mëtejshme e pagave, nuk do të ndodhë deri kur të vijë radha e natyrshme.

Kjo, pas pensionistëve në fund të vitit dhe pas daljes nga sezoni i dimrit.

Gjatë kësaj kohe, shtoi kryeministri, do të bëhen bilancet e kostove të mburojës së energjisë elektrike, edhe për familjet e pedagogëve që mbrohen nga qeveria.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore