Lajme

PDK në 23 vjetorin e themelimit: Jemi gati ta bëjmë Kosovën vend të zhvilluar


Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, përmes një videoadresimi ka uruar 23 vjetorin e themelimit të kësaj partie.

Krasniqi u shpreh se PDK-ja është forca që ka ndjekur Kosovën.

“Themeluesit dhe udhëheqësit tanë historikë, në luftën për liri dhe pavarësi, bashkë me popullin, realizuan ëndrrën shekullore të shumë brezave. Po! PDK punoi fort e pa ndalë për ndërtimin e shtetit dhe për mirëqenien qytetare. Unë dhe të gjithë ne në Partinë Demokratike të Kosovës jemi shumë krenarë që jemi pjesë e kësaj familjeje të madhe politike”, tha Krasniqi.

Ndër të tjera, kreu i PDK-së ka theksuar se është e gatshme për të krijuar kushtet për një shoqëri të drejtë.

“Ne jemi të parët që do të zbatojmë formulën përfaqësuese 50% me 50% në mes të grave dhe burrave. Kemi ristrukturuar organizimin nga degët e deri në nivelin qendror. Kemi formuar Kabinetin për Qeverisje të Mirë me ekspertë të dëshmuar dhe i kemi dhënë rinisë edhe më shumë hapësirë në vendimmarrje”.

Teksa zotimi i tij ishte se PKD-ja do të ofrojë një alternativë qeverisëse për të gjithë, pa dallim.

“Një sistem arsimor më të mirë për fëmijët tanë, vende të punës të paguara mirë, sigurime shëndetësore për të gjithë, të drejta të mbrojtura për punëtorët edhe në sektorin privat, mbështetje konkrete për ndërmarrësit dhe bizneset vendore, ambient të sigurt për secilin qytetar dhe mundësi të barabarta për të gjithë – këto janë shtyllat për Kosovën tonë të re, si vend modern e i zhvilluar”.

“Kjo tani është beteja për të ardhmen tonë. Ky është zotimi ynë për Kosovën tonë. Partia Demokratike e Kosovës është gati!”, u shpreh Krasniqi.

Ky është një tjetër vit për PDK-në pa themeluesit e saj, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

Sipas aktakuzës, Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi dyshohen për veprat penale që kanë të bëjnë me krime lufte si ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe krime kundër njerëzimit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore