Shqipëria

PD-ja zyrtare tërhiqet nga gara për Bashkinë e Kukësit


Partia Demokratike përmes një postimi në median sociale Facebook ka deklaruar se nuk do të dalë me një kandidat për zgjedhjet e datës 24 shtator për Bashkinë e Kukësit.

“Ne nuk do të propozojmë kandidat për zgjedhjet për Bashkinë e Kukësit. Partia Demokratike Dega Kukës qëndron fuqimisht në mbrojtje të interesave të kuksianëve, në mbështetje të tyre. Kuksianët meritojnë një alternativë që do t’u shërbejë atyre dhe jo gara të paracaktuara nga oligarkët në kurriz të demokratëve”.

Kjo pasi, “gjykojmë se tani është koha që së pari të fokusohemi te ringritja e degës së Partisë Demokratike, krijimi i alternativës që presin qytetarët e Kukësit dhe në betejën për rrëzimin e kësaj qeverive, që po i varfëron çdo ditë e më shumë shqiptarët”.

“Partia Demokratike Dega Kukës, duke ndjekur me përgjegjësi të lartë politike dhe morale situatën e krijuar në Kukës, pas diskutimeve dhe konsultimeve me anëtarët dhe strukturat drejtuese të Partisë Demokratike Dega Kukës; duke vlerësuar se interesi i demokratëve dhe i të gjithë qytetarëve të Kukësit që duan ndryshim është rrëzimi i qeverisë, në kushtet e kohës së shkurtër dhe të pamjaftueshme për të riorganizuar degën e partisë pas pasojave tepër negative të frymës së konfliktit të ndezur padrejtësisht mes demokratëve”.

Kujtojmë se Partia e Lirisë e drejtuar nga Ilir Meta dhe Rithemelimi drejtuar nga ish-kryeministri Sali Berisha do të garojnë sërish të bashkuara në zgjedhje, nën logon e koalicionit Bashkë Fitojmë, sa i takon vendoreve të pjesshme në Bashkinë Kukës.

Berisha nuk ka arritur sërish të regjistrohet me logon dhe vulën zyrtare të Partisë Demokratike, kur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i ka njohur këtë të drejtë Lulzim Bashës.

PD-ja e Bashës dhe ajo e Berishës do të garonin me dy kandidatë më vete në zgjedhje, duke ulur shanset e opozitës për t’u rikthyer në pushtet në Bashkinë Kukës.

Teksa, Meta, është bërë sërish ombrellë për Berishën, duke bërë të mundur regjistrimin e kandidatit të tij një zgjedhje.

Kandidati i Rithemelimit për Kukësin do të garojë nën siglën e koalicionit “BF”

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore