Kosova

Pas aksidentit në Kroaci, policia paralajmëron kontrollim të autobusëve


Takimi i zyrtarëve policor

Pas aksidentit tragjik që ndodhi në Kroaci, është shtuar vigjilenca tek kompanitë e transportit publik.

Njësia Rajonale e Komunikacionit Rrugor, i ftoi në një takim, kompanitë e transportit publik të udhëtarëve nga rajoni i Ferizajt.

Sipas njoftimit të Policisë, në këtë takim, është diskutuar situata e sigurisë në komunikacion, e cila është vlerësuar të jetë e mbingarkuar nga qarkullimi i automjeteve në rrugë.

Ndërkaq, është paraqitur nevoja urgjente që të merren masa, të nevojshme nga përgjegjësit e kompanive të transportit publik të udhëtarëve, me theks të veçantë, transportit ndërkombëtar për të shtuar kujdesin e tyre.

Gjatë këtij takimi janë dhënë rekomandime, që kompanitë  e transportit publik të udhëtarëve, të sigurohen se a kanë caktuar shoferë të autobusëve me përvojë, të sigurohen se këta shoferë janë në gjendje të mirë shëndetësore, bazuar edhe në certifikatat e tyre mjekësore, siç është përcaktuar me ligj.

Po ashtu, të sigurohen se a janë duke i respektuar të gjitha rregullat dhe ligjet e komunikacionit rrugor, edhe sa i përket kohëzgjatjes së drejtimit të autobusit dhe a janë prezent edhe ndihmës shoferët, gjatë transportit në linjat ndërkombëtare, si dhe masat të tjera mbi gjendjen teknike të këtyre automjeteve, është thënë në njoftim.

Palët në takim u dakorduan që të mbahet edhe një takim tjetër gjatë javës edhe me përfaqësues të institucioneve lokale dhe qendrore nga fusha e transportit.

Sipas zyrtarëve të policisë, do të merren masat adekuate sipas ligjit të komunikacionit rrugor, krejt kjo me qëllim të parandalimit të aksidenteve në komunikacionin rrugor.

Në mëngjesin e të dielës si pasojë e një aksidenti të rëndë të një autobusi me udhëtarë nga Gjermania për në Kosovë, në Slavonski Brod të Kroacisë, kanë humbur jetën 10 persona dhe dhjetëra të tjerë kanë mbetur të lënduar, ndërsa vetëm njëri nga të lënduarit është në gjendje të rëndë shëndetësore.

Ndryshe, në të gjitha institucionet, flamuri i Republikës së Kosovës është ulur në gjysmë shtizë në nderim të 10 personave të vdekur dhe dhjetëra të tjerëve të lënduar në aksidentin tragjik në Kroaci.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore