Lajme

Partitë pro-serbe në Mal të Zi të zemëruara, Knezheviç: Vendimi i Abazoviç-it për të mbështetur Kosovën, një nga më të turpshmit në historinë malazeze


Keshilli i Evropes

Edhe pse shumica parlamentare e Frontit Demokratik pro-rus e pro-serb, Demokratët dhe URA, pas fitores në 2020 ishin zotuar që të mos ndryshojnë kursin e politikës së jashtme të vendit, një nga liderët e DF-së, Milan Knezheviç, ka reaguar ashpër ndaj mbështetjes së Malit të Zi për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

“Vendimi i Qeverisë së Dritan Abazoviç-it për të mbështetur Kosovën është një nga më të turpshmit në historinë malazeze dhe e ndërlikon edhe më shumë situatën socio-politike në Mal të Zi dhe në rajon. Nëse nuk do të kishin guximin të ishin kundër saj, mund të kishin abstenuar”, tha Knezheviç.

Ai shtoi se tani është rasti i duhur për të filluar një fushatë nëpër kisha dhe manastire për mbledhjen e nënshkrimeve për tërheqjen e vendimit për njohjen e shtetësisë së Kosovës, madje i bëri thirrje presidentit të sapozgjedhur të Malit të Zi, Jakov Milatoviç, që të distancohet nga deklaratat e tij në lidhje me Kosovën.

Kujtojmë se Fronti Demokratik në vitin 2018 kishte nisur një peticion për tërheqjen e njohjes së Kosovës, së bashku me një grumbull partish dhe organizatash pro-serbe e pro-ruse, zyrtarë të të cilëve edhe kishin vizituar Mitrovicën e Veriut.

Milan Knezheviç

Kryetari i Partisë Popullore Demokratike në Mal të Zi (DNP), edhe në të kaluarën ka paralajmëruar se nëse do të vie donjëherë në pushtet, do ta tërheqë njohjen e pavarësisë së Kosovës. Sipas tij, nën kryeministrin Abazoviç, aktualisht është e pamundur që të tërhiqet njohja e Kosovës.

“Jam i vetëdijshëm se në qeverinë e Dritan Abazoviç-it nuk mund ta marrë vendimin për tërheqjen e njohjes së Kosovës. Por, ta dini tash, se nëse kemi shumicën në qeveri pa Abazoviç-in dhe ata tjerët që do të na kushtëzonin, atëherë do të tërheqim vendimin për njohjen e Kosovës”, pati thënë Knezheviç.

Edhe kryetari i Komitetit për Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Emigrantë, Miodrad Lekiç, nëpërmjet një postimi në llogarinë e tij në “Facebook”, tha se vendimi i Qeverisë së Malit të Zi për të mbështetur aplikimin e Kosovës në Këshillin e Evropës është “jodemokratik dhe i papërgjegjshëm”.

“Vendimi i qeverisë malazeze për të mbështetur pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, në formën e një vendimi të fshehtë nga i cili më pas publikisht distancohen akterët e qeverisë, paraqet një shtesë të re të mendjelehtësisë dhe papërgjegjshmërisë së shtetit malazez”, shkroi Lekiç.

Ai denoncoi ekzekutivin malazez të përbërë nga Lëvizja Qytetare URA, Partia Popullore Socialiste dhe partitë e tjera shqiptare, të cilët, sipas tij, s’e panë të përshtatshme të konsultohen ose të paktën të informojnë Komitetin për Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Emigrantë për, siç tha ai, këtë çështje të ndjeshme për qytetarët e Malit të Zi.

Ndërkaq, zëvendës-kryeministri i Malit të Zi i Qeverisë së Malit të Zi dhe lideri i Partisë Popullore Socialiste, Vladimir Jokoviç, tha të martën se çështja nëse Kosova duhet të pranohet në Këshillin e Evropës nuk është vendosur në seancën e Qeverisë së Malit të Zi.

Ai ka thënë se ministrat e Partisë Popullore Socialiste “sigurisht” që nuk do të kishin votuar që Mali i Zi të mbështeste pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës nëse kjo do të ishte temë diskutimi e Qeverisë së Malit të Zi, transmeton mediumi malazez “Pobjeda”.

Këshilli i Evropës votoi të hënën pro vendimit që t’ia përcjellin Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (APKE) kërkesën për anëtarësimin e Kosovës në organizatë me 33 vota pro – përfshirë shtetet e rajonit si Shqipëria, Mali i Zi, Sllovenia, Maqedonia e Veriut dhe Kroacia – 7 kundër dhe 5 abstenime.

Hungaria, Rumania, Qiproja, Spanja, Azerbajxhani, Gjeorgjia dhe Serbia votuan kundër, kurse Bosnjë-Hercegovina, Greqia, Sllovakia, Moldavia dhe Ukraina abstenuan. Ky rezultat tregon se me më shumë se 2/3 e votave kanë qenë pozitive për të kaluar Kosova këtë fazë të procesit të gjatë të anëtarësimit në KiE.

Por, kur Këshilli i Evropës pranoi aplikacionin e Kosovës për anëtarësim në këtë organizatë, Serbia loboi kundër këtij vendimi, votoi kundër dhe kërcënoi shtetet që ishin pro, veçanërisht Bosnjë-Hercegovinën, Malin e Zi dhe Ukrainën.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore