Lajme

Papa Françesku: Jo indiferencë ndaj të varfërve


Këtë Krishtlindje, Papa Françesku u ka bërë thirrje besimtarëve të mos tregohen indiferentë ndaj të varfërve dhe se ata që tregohen të tillë, ofendojnë dashurinë e Zotit.

Për të, njerëzit duhet “të shikojnë përtej të gjitha dritave dhe dekoratave” dhe të kujtojnë më të varfrit.

Papa e kremtoi meshën solemne në Bazilikën e Shën Pjetrit për rreth dy mijë njerëz, me pjesëmarrje të kufizuar nga COVID-19 në rreth një të pestën e madhësisë së viteve para pandemisë.

Agjencia e lajmeve, “Reuters”, tregon se pak minuta para nisjes së meshës së Krishtlindjes, Italia raportoi një rekord të dytë të njëpasnjëshëm ditor të rasteve me COVID-19.

Infektimet e reja kapnin shifrën e 50 mijë e 599 rasteve.

Ndërkaq, predikimi i Papës ishte përqark temës se Jezusi lindi pa asgjë.

“Vëllezër dhe motra, duke qëndruar përpara krevatit të fëmijës, ne soditim atë që është qendrore, përtej të gjitha dritave dhe dekorimeve, të cilat janë të bukura. Ne soditim fëmijën”, ka thënë ai.

Së bashku me të ishin të pranishëm edhe më shumë se 200 kardinalë, peshkopë dhe priftërinj, të cilët mbanin maska përveç vet atij.

Papa Françesku u ka thënë besimtarëve se foshnja Jezus e lindur në varfëri duhet t’u kujtojë njerëzve se t’u shërbesh të tjerëve është më e rëndësishme sesa të kërkosh status ose dukshmëri sociale ose të kalosh një jetë në kërkim të suksesit.

“Në këtë natë dashurie, le të kemi vetëm një frikë: atë që të mos ofendojmë dashurinë e Zotit, ta lëndojmë atë duke përçmuar të varfrit me indiferencën tonë”, ka thënë ai.

Nga ana tjetër, Papa ka ngritur shqetësimin për njerëzit e shumtë që vdesin në aksidente në vendin e punës në mbarë botën.

“Në ditën e jetës, le të përsërisim: jo më vdekje në vendin e punës! Dhe le të angazhohemi për ta siguruar këtë”, ka theksuar ai.

Organizata Ndërkombëtare e Punës e Kombeve të Bashkuara (ILO) vlerëson se ka më shumë se një milion vdekje të lidhura me punën çdo vit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore