Lajme

Pahor: “Vuçiç nuk mund të llogarisë plotësisht në të ardhmen evropiane të Serbisë”


Presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor

Presidenti slloven, Borut Pahor, ka shprehur pritshmëritë e tij që Serbia të mund të menaxhojë me kërkesat aktuale gjeopolitike në frymën e vlerave evropiane.

Ai madje ka shprehur mirëkuptim ndaj presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, duke thënë se situata aktuale nuk është e lehtë për Serbinë dhe se Aleksandër Vuçiç nuk po mund të llogarisë plotësisht në të ardhmen evropiane të Serbisë.

“Nuk është e lehtë për Serbinë. Unë e shoh që miku im Vuçiç nuk mund të llogarisë plotësisht në të ardhmen evropiane të Serbisë, prandaj edhe po provon të ruaj marrëdhëniet strategjike në të gjitha anët, dhe kjo po bëhet çdo ditë e më e vështirë në këto ndarje gjeopolitike”, ka thënë ai në një intervistë për “Politika”.

Presidenti slloven ka thënë se përtej problemeve të theksuara, “Serbia e forcon demokracinë dhe e zbutë nacionalizmin”, duke shtuar edhe se beson që Serbia dhe BE do të bëjnë çmos që ajo e para të anëtarësohet në unionin evropian.

“Neutraliteti ushtarak nuk është pengesë, edhe ne kemi shtete neutrale në BE. Por, fakti është se BE ka politik të jashtme të përbashkët dhe politika të sigurisë, të cilën duam ta bëjmë më efikase, dhe kushti i parë për këtë është uniteti i anëtarëve”, ka thënë mes tjerash Borut Pahor.

“Fakti është që BE nuk dëshiron ose nuk di si të shfaqet më e fuqishme në këtë pjesë të Evropës – kjo do të ketë pasoja. Rusia, Kina, Turqia, dhe shtetet e Gjirit Persik do të themelojnë [prezencën e tyre] në këtë zonë. BE nuk po ia del të shohë këtë”, ka thënë presidenti slloven.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore