Shqipëria

Pagoi Nuredin Dumanin që t’i vriste gruan, dënohet me 2 vite burg ish-avokati Alban Bengasi


Gjykata e Posaçme dënoi me dy vite burg ish- avokatin Alban Bengasi, pasi pagoi Nuredin Dumanin për të vrarë ish-bashkëshorten e tij, Blerta Ruçi.

SPAK ka zbardhur të gjithë skemën çfarë ndodhi më 30 janar 2020 në Rrugën “Mihal Grameno”, Tiranë.

Nga hetimet është evidentuar përfshirja në krim edhe e një personi tjetër, shok i të bashkëhetuarit Elio Bitri, i paidentifikuar deri më tani, i cili shfaqet në rolin e ndihmësit pasi  ka qenë drejtuesi i mjetit me të cilin është larguar i bashkëhetuari Eljo Bitri nga vendi i ngjarjes.

Këta shtetas kanë bashkëvepruar në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, duke e shtrirë në kohë dhe vende aktivitetin e ndjekjes së të dëmtuarës nga vepra penale, si dhe duke patur një ndarje të qartë rolesh në kryerjen e veprës penale.

Bengasi u arrestua në shtator të vitit të shkuar pasi ishte shpallur në kërkim në kuadër të operacionit Plumbi i Artë.

Ai u arrestua në aeroportin e Rinasit teksa po hynte në Shqipëri.

Bengasi prej dëshmisë së të penduarit të drejtësisë, Nuredin Dumani, u zbulua se kishte paguar 120 mijë euro për vrasjen e bashkëshortes së tij.

Ai besohet se ka manipuluar provat për dy vrasje, duke i vendosur provat e krimeve tek personat që nuk kishte asnjë lidhje.

Po ashtu mësohet se ai ka kërkuar djegien e makinës së ish-gruas së tij, pas një konflikti që ka pasur me të.

Bengasi ka qenë edhe avokat i vëllezërve Fredi dhe Pajtim Rrushi, të cilët akuzohen si të dyshuar për vrasjen dhe fshehjen e trupit të biznesmenit Ruzhdi Hoxha prapa Dajtit.

Ndërkohë, në maj të vitit 2020, Bengasi ra pre e një sulmi me thikë nga kunati i tij, Roland Ruçi, ku mbeti edhe i plagosur. Ngjarja ndodhi pranë stadiumit ‘Dinamo’ në kryeqytet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore