Lajme

Osmani takon sekretarin e Ligës Arabe, kërkon sigurimin e njohjeve të reja


Ahmed Aboul Gheit dhe Vjosa Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, këtë të premte në margjinat e sesionit të 77-të të asamblesë së Kombeve të Bashkuara në New York, ka takuar sekretarin e përgjithshëm të Ligës Arabe, Ahmed Aboul Gheit.

Në takim me Gheit, Osmani ka kërkuar sigurimin e njohjeve të reja nga shtetet anëtare të Ligës Arabe.

“Në takim me Aboul Gheit, Osmani ka kërkuar rritjen e bashkëpunimit me Ligën Arabe, në funksion të thellimit të raporteve me shtetet anëtare të Ligës, sigurimin e njohjeve të reja, por edhe mbështetjes së Kosovës në procesin e anëtarësimit në organizata ndërkombëtare”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Presidentes.

Sipas Osmanit, Kosova tashmë ka shënuar përparim të konsiderueshëm me fokus të posaçëm në sundimin e ligjit, krijimin e vendeve të punës dhe forcimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës.

“Ajo ka potencuar se forcimi i pozitës ndërkombëtare të Kosovës kontribuon për paqen afatgjatë e të qëndrueshme, në rajon e më gjerë”.

Ndryshe gjatë qëndrimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Osmani ka takuar edhe Presidentin e SHBA-ve, Joe Biden.

Nga takimi me Biden detaje nuk janë dhënë.

Osmani përpos Biden, ka takuar edhe Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.

Presidentja në takim ka konfirmuar faktin se Kosova është gati të jetë pjesë e Partneritet për Paqe.

“Kosova do të punojë ngushtë me aleatët e saj për të përshpejtuar përfshirjen e saj në këtë program të NATO-s”, ka shkruar Osmani në Facebook.

Për Osmanin anëtarësimi i Kosovës në Bashkimin Evropian dhe në NATO do të kontribuojë në rritjen e sigurisë dhe stabilitetit në rajon.

“Forca e Sigurisë së Kosovës, po zhvillohet në përputhje me standardet e NATO-s, ndaj anëtarësimi në këtë program e pastaj edhe në NATO do t’ia mundësojë Kosovës një rol aktiv në kuadër të sigurisë rajonale dhe globale”, ka shtuar ajo.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore