Lajme

Osmani kërkon nga presidenti i Lituanisë që Kosova të përkrahet për anëtarësim në NATO


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në konferencë të përbashkët me presidentin e Lituanisë, Gitanas Nausada, kërkoi që Kosova të mbështet për anëtarësimin në NATO, duke falënderuar Lituaninë për përkrahjen e vazhdueshme që i kanë dhënë Kosovës.

“Besoj se anëtarësimi në NATO duhet shikuar nga perspektiva e sigurisë. Për këtë, gjithë shtetet liridashëse në Evropë, që duan të kontribuojnë për paqe e siguri, meritojnë të jenë në NATO. Dhe aspiratat për anëtarësim të tyre duhet përkrahur”.

Gjithashtu shtoi se anëtarësimi në NATO i Kosovës duhet përkrahur edhe nga vendet e rajonit.

“Besoj se jo vetëm te Finlanda e Suedia, por edhe shtetet në rajonin tonë, si Kosova dhe Bosnjë-Hercegovina, duhet përkrahen me një proces të përshpejtuar anëtarësimi”.

Osmani potencoi se “është absurde që në kuadër të Partneritetit për Paqe të NATO-s, gjenden shtete anti-NATO si Bjellorusia e Serbia, por Kosova nuk ka marrë ftesë për t’iu bashkuar Partneritetit”.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

“E them këtë, jo vetëm se 93 për qind të qytetarëve të Kosovës janë pro anëtarësimit në NATO, por edhe se ka qenë aspirata jonë historike që nga viti 1999, kur NATO na doli në ndihmë dhe ndaloi gjenocidin ndaj popullit tonë. Sot po përballemi me një situatë absurde, ku shtetet që janë anti-NATO, si Bjellorusia e Serbia, janë në Partneritet për Paqe, e Kosova ende nuk ka marrë ftesë për t’iu bashkuar”, tha Osmani.

Ndërsa, theksoi se relevanca e këtij takimi është mjaft e madhe.

“Kjo vizitë është shumë e rëndësishme për mua, pasi është vizita e parë në Lituani si presidente e Kosovë”.

“Vizita ime e dëshmon edhe një herë bashkëpunimin me vendet e tjera ndaj agresionit rus që është duke e bërë ndaj shtetit të Ukrainës”.

E para e shtetit, theksoi edhe një herë se askush më mirë se Kosova nuk e kupton situatën në të cilën po kalojnë në Ukrainë.

“Lufta në Kosovë ishte vetëm dy dekada më parë, dhimbja është akoma e freskët prandaj nuk është ndonjë person tjetër që kupton më mirë situatën e Ukrainës dhe dhimbjen në të cilët po kalon”.

Duke rikujtuar që Serbia vazhdon të jetë shteti i vetëm  në rajon që po mbështet Rusinë.

“Fatkeqësisht, shteti ynë fqinj Serbia vazhdon të e mbështes Rusinë duke qenë shteti i vetëm që nuk ju bashkohet sanksioneve ndaj Rusisë dhe duke destabilizuar Ballkanin Perëndimor”.

Presidenti i Lituanisë, Gitanas Nausada.

Presidenti i Lituanisë, Gitanas Nausada, pohoi se si shtet do të vazhdojnë të e mbështetesin Kosovën.

“Do të doja të theksoj se Lituania mbështet pavarësinë e Kosovës, territorin e saj si dhe të ardhmen e saj drejt BE-së, NATO-s dhe euroatlantikës”.

Ndërsa, potencoi se fokusi i këtij takimi ishte rreth situatës aktuale në Ukrainë.

“Kemi pasur mundësinë të diskutojmë në detaje për agresionin rus ndaj Ukrainës, do të doja të falënderoja presidenten e Kosovës Vjosa Osmanin për mbështetjen e vendit të saj gjatë vendosjes së sanksioneve ndaj Rusisë”, deklaroi Nausada.

Duke shtuar se, “në këtë takim ne vendosëm që të vazhdojmë sanksionet ndaj Rusisë dhe të e suportojmë Ukrainën”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore