Lajme

Osmani ftohet nga Universiteti John Hopkins – “E ardhmja e Kosovës në një rajon sfidues”


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani

Universiteti amerikan John Hopkins për Studime të Avansuara Ndërkombëtare ka ftuar Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmanin, për një bisedë me temën “E ardhmja e Kosovës në një rajon sfidues”.

Kjo ngjarje universitare do të mbahet më 8 nëntor.

“Presidentja Osmani-Sadriu së bashku me Edward P. Joseph, do të diskutojnë mbi situatës e tanishme mes Kosovës dhe Serbisë, përpjekjet e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse mes Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në njoftim.

Gjithashtu Osmani do të diskutoj “mbi prioritetet e brendshme si lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”.

Të hënën, ngjarja do të transmetohet drejtëprejdrejtë në Eventbrite.

“Vjosa Osmani-Sadriu u zgjodh dhe u betua Presidentja e shtatë e Kosovës më 4 prill 2021. Ajo u zgjodh kryetarja e parë femër e Kuvendit të Republikës së Kosovës në shkurt të vitit 2020, si dhe shërbeu si ushtruese e detyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës nga Nëntor 2020 deri në mars 2021”, shkruhet në njoftimin e universitetit.

“Osmani-Sadriu ka shërbyer si deputete e Kuvendit të Republikës së Kosovës për pesë mandate. Si deputete e Kuvendit të Republikës së Kosovës, ajo kryesoi Komisionin Parlamentar për Punë të Jashtme dhe Komisionin për Integrime Evropiane dhe shërbeu si zëvendëskryetare e Komisionit për Reformën Kushtetuese”.

Nga viti 2006 deri në vitin 2010, Osmani-Sadriu shërbeu si Shef i Shtabit të Presidentit të atëhershëm të Kosovës Fatmir Sejdiu dhe Këshilltar i Lartë për Çështje Juridike dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare.

Ajo përfaqësoi presidentin në Komisionin për hartimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Osmani-Sadriu ishte anëtare e ekipit përfaqësues për Republikën e Kosovës në një rast të dëgjuar në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë lidhur me shpalljen e pavarësisë së Kosovës.

Osmani-Sadriu ka ligjëruar në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës që nga viti 2006 dhe më parë ka shërbyer si profesoreshë e ftuar në Universitetin e Pitsburgut.

Ajo gjithashtu ka ligjëruar në RIT – Kosovë (AUK), AAB – Kolegjin Riinvest dhe ka mbajtur leksione tematike në universitete të tjera në Evropë dhe SHBA.

Në vitin 2017, Universiteti i Pittsburgut e shpalli Osmani-Sadriun fitues të Çmimit Ndërkombëtar të Arritjes Sheth.

Ajo është anëtare e Bordit të Rrjetit Parlamentar të Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), dhe anëtare e Komitetit Drejtues të Deputetëve të rinj të Bankës Botërore dhe FMN-së, përfundon njoftimi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore