Lajme

NZZ: “Gjermania duhet ta detyrojë Vuçiçin që ta frenojë Dodikun”


Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç dhe anëtari serb i Presidencës së BeH-së, Millorad Dodik

Perëndimi, dhe në rend të parë Gjermania, duhet të detyrojnë Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, që të ndihmojë në qetësimin e krizës në Bosnje dhe Hercegovinë, dhe të frenojë Millorad Dodikun, i cilia do të mbetej pa mbështetje pa marrëdhënie të afërta me Beogradin, shkruan e përditshmja zvicrane Neue Zuericher Zeitung.

“Sanksione kundër Dodikut, dhe mbi të gjitha, kundër ambienteve të tija biznesore janë gjëra që janë provuar tashmë. Biznesmenë që mbështesin atë natyrisht se nuk do të jenë të lumtur nëse atyre u mbyllen llogaritë në banka të huaja dhe nëse u duhet të kalojnë pushimet vetëm në Mal të Zi”.

Sidoqoftë, shkruan NZZ, “Dodik e sheh këtë rrezik”, dhe për këtë arsye edhe ka vizituar së fundmi Presidentin e Rusisë, Vlladimir Putin, i cili “e sheh këtë si mundësi për të irrituar perëndimin”.

“Por Republika Srpska nuk është Transnistri. Dodik menjëherë do të bëhej kalorës pa atdhe nëse i vendos të gjitha shpresat te Rusia. Qytetarët do të iknin nga ai në masë të madhe”.

Vuçiç duhet ta frenojë atë, argumentohet në artikull, sepse “një pjesë e madhe e kapitalit politik të Dodikut bazohet në mbështetjen e Beogradit”.

Sipas të përditshmes zvicrane, sjeljja e Vuçiçit në rapot me BeH-në, “është ambivalente”.

“Vuçiç ka qenë i mbrojtur nga Gjermania, sepse Merkel shpresonte që ai do të sillte normalizim të marrëdhënieve me Kosovën”.

“Por kjo thjesht nuk ndodhi”, potencon artikulli.

“Qeveria e re gjermane, dhe mbi të gjitha, Ministrja e Jashtme nga të Gjelbërit, Annaelena Baerbock, duhet të jetë shumë më pak e butë me këtë ‘burrin e fortë të Serbisë’, dhe Vuçiç duhet qartazi tani të inkurajohet që të qetësojë situatën në BeH”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore