Lajme

Nuk kalon rezoluta e PDK-së për grevën


Kuvendi i Kosovës

Deputetët e Kuvendit të Kosovës, këtë të premte nuk e kanë miratuar rezolutën e Partisë Demokratike të Kosovës për grevën.

Rezoluta e prezantuar të enjten nga shefi i grupit parlamentar i PDK-së, Abelard Tahiri, ka marrë 22 vota për e 39 vota kundër, ndërsa 6 deputetë kanë abstenuar.

Në rezolutë kërkohej që të zhvillohen negociatat e nevojshme me Këshillin e Grevistëve të BSPK-së apo personat të autorizuar, deri në zgjedhjen përfundimtare që siguron ndërprerjen e grevës.

“Kërkojmë nga Qeveria që në një afat prej 5 ditëve nga miratimi i kësaj rezolute, të përfshijë përfaqësues të autorizuar të BSPK-së, në grupin punues për hartimin e projektligjit të pagave, para miratimit të tij në Qeveri dhe të marrë në konsideratë propozimet e tyre. Kërkojmë nga Qeveria të propozojë masat për adresimin e kërkesave të tjera të sindikatave”, ishin disa nga pikat e rezolutës të prezantuara nga Tahiri.

Ndryshe e rezoluta në fjalë ishte tentuar të hidhej në votim të enjten, mirëpo mungesa e kuorumit e kishte shtyrë votimin e saj.

Tash e tri javë greva në arsimin e Kosovës është duke vazhduar.

Që nga 25 gushti, Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) kishte marrë vendim që të hyj në grevë duke kërkuar rritje pagash prej 100 eurosh.

Edhe pas takimeve në mes të Qeverisë së Kosovës dhe Sindikatës së Bashkuar të Arsimit dhe Shkencës nuk është gjetur një gjuhë e përbashkët mes dy palëve.

Çfarë duan grevistët?

Grevistët kanë kërkesë që qeveria t’ua rris pagat për 100 euro shërbyesve publikë, përfshirë mësimdhënësit, derisa të futet në fuqi ligji për paga, i cili parasheh rritjet e nevojshme.

Ata thonë se për nëntë muaj rresht kanë kërkuar takim me Kurtin, por ai nuk i ka pranuar.

Gjithashtu, Jasharaj kishte deklaruar se i kanë dërguar 83 shkresa në qeveri dhe asnjëherë nuk kanë marrë përgjigje.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore