Shqipëria

I shkarkuar apo në detyrë? – KLP vendos të hënën për fatin e Alfred Ballës


Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka vendosur të zhvillojë më 27 maj një mbledhje, ku do të përcaktohet përfundimisht nëse Alfred Balla, do të mundet apo jo të qëndrojë në funksionin e kryetarit të këtij institucioni.

Kjo, pas një vendimi nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit, i cili vendosi nxjerrjen e tij nga sistemi për 15 vite, bazuar në procesin e vetting-ut.

Mbledhja e KLP është thirrur nga nënkryetari Tartar Bazaj, ndërsa ajo do të mbahet në orën 11:00 të së hënës, ku të pranishëm përveç anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, pritet të jenë edhe përfaqësues të organizmave ndërkombëtare, të cilët monitorojnë funksionimin e institucioneve të drejtësisë.

Balla, KLP-në e drejton që nga përfundimi i mandatit të Gent Ibrahimit, pasi ai më parë mbante funksionin e nënkryetarit të Këshillit. Gjithsesi, edhe atij i ka përfunduar mandati, por po qëndron në detyrë deri në çastin e zgjedhjes së anëtarëve të rinj, nga radhët e shoqërisë civile.

Vetë Balla, pas përjashtimit, nuk e ka pranuar vendimin, duke u përgjigjur me tone të ashpra se ai do ta çojë çështjen në Gjykatën e Strasbourg-ut.

Balla pas përjashtimit me 15 vite nga sistemi i drejtësisë: Vendim i turpshëm, do e apeloj në Strasburg

“Edhe pse shpresova se nuk do të ndikohej, sot KPA-ja (shumica) mori një vendim të turpshëm që të ndërpresë pa një vendim përfundimtar vettingun tim si ish-këshilltar ligjor në Gjykatën e Lartë ku kam punuar para 8 vitesh, duke e shoqëruar edhe me ndalesat e nenit “G” të Aneksit të Kushtetutës, të cilat u vihen vetëm atyre që dorëhiqen ose shkarkohen nga detyra ku nuk ishte asnjë rast për mua”, shkroi Balla pas përjashtimit.

KPA ka vendosur largimin e Ballës nga sistemi i drejtësisë, duke i hequr të drejtën për të ushtruar funksione për 15 vitet e ardhshme.

Nga ana tjetër KPA tha se trupi gjykues me shumicë votash vendos ndryshimin e vendimit nr 675 të KPK-së.

Balla u zgjodh në krye të KLP-së, si kandidat i propozuar nga shoqëria civile.

Përpara kësaj detyre ai punoi si ndihmës ligjor në Gjykatën e Lartë deri në 31 korrik 2017 dhe sipas legjislacionit duhej t’i nënshtrohej procesit të vettingut.

Aosokohe, trupa e vettingut vlerësoi se Balla e kishte humbur statusin e magjistratit, pasi ishte shkarkuar nga kreu i Gjykatës së Lartë në korrik 2017 dhe e mbyllën procesin e tij pa një vendim përfundimtar.

Kështu, Komisioneri Publik ankimoi vendimin e vettingut për Ballën, duke rikthyer në vëmendje se kreu i KLP-së nuk gëzon statusin e magjistratit.

Në përfundim të mandatit, Alfred Balla kërkonte që të ushtronte funksionin në një prej prokurorive të Apelit, por sipas Komisionerit Publik, atij i duhej hequr e drejta për 15 vite te ardhshme për të ushtruar funksione në sistemin e drejtësisë.

Kjo pasi nuk gëzon statusin e magjistratit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore