Kosova

Hapja e tenderit për monitorues të lajmeve, MASHT-i kërkon falje dhe arsyetohet me mungesë të stafit


Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci.

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), ka kërkuar falje pas raportimeve se ministrja Arbërie Nagavci, të enjten e 23 majit ka përgatitur një dosje të tenderit për të kontraktuar ekspert që do të monitorojnë mediat në Kosovë.

MASHT-i, përmes një komunikate për media ka sqaruar se gabimi ka ndodhur për shkak të zgjedhjes së termave joadekuat.

“Në bazë të kompetencave të veta ligjore dhe pa njohurinë e kabinetit, DKP ka përgatitur gjithë procedurën për këtë tender. Lëshimi ka ndodhur për shkak të zgjedhjes së termave joadekuat dhe duke qenë i paqëllimshëm, DKP u kërkon falje mediave dhe qytetarëve të Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Gabimin MASHT-i e ka arsyetuar edhe për shkak të mungesës së stafit.

“Divizioni ka kohë që funksionon me numër të vogël të zyrtarëve dhe duke qenë se muaj më parë edhe një zyrtare e Divizionit është transferuar në një ministri tjetër, ka krijuar vështirësi edhe më të mëdha në funksionimin e tij”.

Nga ky dikaster është thënë se nuk kanë synim asnjëherë kontrollimin e mediave.

“Monitorimi i mediave është detyrë të cilën, Divizioni për Komunikim Publik (DKP) e kryen për shumë vite dhe kjo i ka shërbyer në vazhdimësi MAShTI-t për t’a mbajtur të informuar për lajmet që kanë të bëjnë me arsimin në Kosovë dhe asnjëherë nuk ka qenë dhe nuk është qëllim i MAShTI-it për t’i kritikuar mediat lidhur me lajmet që i publikojnë, apo për të ndikuar në politikat e tyre redaktorialë”.

Ministria e Arsimit e udhëhequr nga Arbërie Nagavci, të enjten e 23 majit ka përgatitur një dosje të tenderit për të kontraktuar ekspert që do të monitorojnë mediat në Kosovë.

I kontraktuari, sipas kësaj Dosje të Tenderit e përgatitur në cilësinë e Shërbimeve të Veçanta për Ministrinë e Arsimit, do të jetë përgjegjës për monitorimin dhe analizimin e paraqitjes së Ministrisë dhe titullarit – në këtë rast të Arbërie Nagavcit – në media.

Përveç kësaj, eksperti do të jetë përgjegjës për monitorimin e lajmeve të cilat atakojnë institucionin që ndërlidhen me proceset në arsim.

I kontraktuari, sipas kësaj Dosje të Tenderit, do të përgatisë edhe raport ditor nga monitorimi i mediave me qëllim për të shpërndarë stafit drejtues.

Drejtoresha Ekzekutive e organizatës joqeveritare Iniciativa për Progres (INPO), Albulena Nrecaj, ndërsa ka kritikuar këtë Dosje të Tenderit, e ka cilësuar këtë iniciativë si shpërdorim i parasë publike dhe shpërdorim i detyrës zyrtare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore