Shqipëria

PD-ja italiane – pas fjalëve të Ramës – i kërkon Melonit të ndalojë fondet për kampin e emigrantëve në Shqipëri


Partia Demokratike italiane i ka kërkuar kryeministres së vendit fqinj, Giorgia Meloni, që të ndalojë në mënyrë të menjëhershme fondet për ndërtimin e kampit të emigrantëve në Gjadër të Lezhës dhe ato para, t’i drejtojë për nga shëndetësia italiane.

Kështu shkruhet në një publikim të forcës së majtë politike italiane, përmes një njoftimi në median sociale Facebook, pas publikimit në të përditshmen italiane Repubblica, të një komunikimi me kryeministrin shqiptar, Edi Rama, i cili kishte pohuar se gjithçka është në dorë të shtetit italian dhe se zbatimi i planit është i vështirë.

“Rama konfirmon kompleksitetin e marrëveshjes, duke hedhur një hije të gjatë mbi mundësinë e menaxhimit të saktë të procedurave të zbarkimit, identifikimit dhe azilit në Shqipëri. Por mbi të gjitha konfirmon atë që kemi parë me sytë tanë: për momentin strukturat nuk janë aty dhe investimet po udhëtojnë me vonesa të mëdha, pavarësisht rritjes së ndjeshme të kostove të gjithë operacionit që do të shkaktojë dëme mbi 800 milionë euro për arkën e shtetit”, shkruhet në publikim.

Aty përmendet po ashtu fakti se disa deputetë të PD-së italiane e kanë vizituar bazën në Gjadër dhe punimet atje janë tejet të vonuara.

“Të gjitha gjërat janë vetëm italiane. Shqipëria ofroi disponueshmëri dhe tokë, por asgjë më shumë”.

Kështu është shprehur nga ana tjetër kryeministri Edi Rama, teksa i përgjigjet konstatimit të gazetarit të “La Repubblica” me nuanca ironie se në “Shqipëri ngrihen ndërtesa brenda një nate, kurse qendra italiane për emigrantët në Shqipëri përbëhet vetëm nga katër buldozerë të braktisur”.

Diskutimi vjen pasi hapja e dy qendrave për pritjen e emigrantëve në Shëngjin dhe Gjadër, të cilat ishin parashikuar për më 20 maj, u shtynë pasi nuk kishin përfunduar punimet.

Pas raportimeve nga Italia reagon Rama: Nuk kam ndryshuar mendje për marrëveshjen me Melonin

Rama shprehet skeptik mbi politikat që do të ndiqen nga BE-ja dhe Italia për mbarëvajtjen dhe funksionimin e këtyre dy qendrave.

“Miku im, qendra do të jetë gati për disa muaj gjithsesi, kjo nuk është asgjë. Por problemi do të jetë funksionimi i saj. Dhe do të jetë shumë e vështirë për procedurat: si do të menaxhohen 3 mijë persona në 28 ditë me burokracinë italiane dhe rregullat evropiane?”, tha ai.

Rama thotë se shtyrja e hapjes së qendrave në Shqipëri për emigrantët është çështje e Italisë

Sipas kryeministrit do të ketë apelime, do të ketë bllokime.

Tani – vijon gazetari i La Repubblica – thonë se “Rama është pak i ftohur me socialistët evropianë, se ai nuk erdhi në Romë në kongresin e PSE-së në mars edhe me shumë gjasë arsyeja ishin këto qendra “outsourcing” të migrantëve: ato nuk janë tamam një ide e madhe progresive”.

Prandaj, “ai dëshiron të dërgojë disa sinjale afrimi me atë botë”.

“Dhe nuk është vetëm ky problem. Edhe ky plani Mattei… si do ta çoni përpara? Po, mund të bëni marrëveshje, të hapni qendra në Tunizi ose Libi. Por a e dini se sa para janë në lojë për trafikimin e emigrantëve në ato brigje? Dhe gjithçka menaxhohet shumë lart”, vijon Rama duke iu përgjigjur pyetjeve.

Për këtë, thotë gazetari “kryeministri shqiptar citon raporte nga gjysma e Evropës”.

“Vullneti politik nuk mjafton, e vetmja strategji” i thotë Rama gazetarit “do të ishte vërshimi i parave ndaj tyre. A e dini se kush do të duhej? D’Alema do të duhej!”.

I pyetur se çfarë lidhje ka D’Alema me këtë situatë, Rama flet për për gjirin e Vlorës, në ’98, në duart e kontrabandistëve.

“Më pas mbërriti Massimo, vendosën një radar në ishullin e Sazanit, në kanalin e Otrantos, hapën kanale emigracioni të lehtësuar dhe pak nga pak gjithçka përfundoi: sot në Itali ka gjysmë milioni shqiptarë”.

Marrëveshja

Qeveria shqiptare, më 7 nëntori të vitit të kaluat, ka zbardhur Protokollin e firmosur ndërmjet qeverisë së Republikës italiane dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë.

Kështu u bë me dije se marrëveshja për strehimin e emigrantëve – të kapur në det nga Italia  – në dy qendra të ndërtuara në Shqipëri, do të zgjasë plot pesë vite.

Shpenzimet për këtë vendim politik deri më tani do të përballohen nga Italia, e cila do t’i paguajë Shqipërisë fondin e parë në shumën 16.5 milionë euro, brenda një 3-mujori.

Parashikohet që mbi 100 milionë euro të jenë të ngrira në një llogari bankare të nivelit të dytë si garanci.

Italia, ndërkaq merr përsipër të gjitha shpenzimet për kujdesin spitalor sipas legjislacionit shqiptar, pas administrimit të trajtimeve spitalore të palës shqiptare.

Neni 3 i kësaj marrëveshjeje përcakton se shteti fqinj merr në përdorim sipërfaqe të territorit shqiptar për ngritjen e strukturave pritëse të cilat parashikohen të ngrihen në Shëngjin dhe në Gjadër.

Neni 4, që është pika kryesore e këtij protokolli thekson se Italia ngre tërësisht me shpenzimet e saj, strukturat për qëndrimin e migrantëve.

Kufiri maksimal i pritjes së të huajve do të jetë jo më shumë se 3 mijë persona të strehuar në të njëjtën kohë.

Gjithashtu Italia do të përballojë çdo shpenzim për të strehuarit, duke përfshirë kostot e kujdesit shëndetësor dhe tjetër të parashikuar që mund t’i vijë palës shqiptare.

Po ashtu, në dokumentin e firmosur përcaktohet se afati maksimal i qëndrimit të një emigranti nuk mund të jetë më i madh se koha e nevojshme për procedurat e azilit dhe mbrojtjes.

Në përfundim të procedurave, sipas nenit 9, është pala italiane që kryen me shpenzimet e saj largimin e migrantëve nga Shqipëria.

Shqipëria do të shoqërojë emigrantët me policinë e saj dhe do të vërë në dispozicion sipas rastit forcat e armatosura.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore