Shqipëria

Pas raportimeve nga Italia reagon Rama: Nuk kam ndryshuar mendje për marrëveshjen me Melonin


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama përmes një postimi në platformën X – dikur Twitter ka reaguar pas intervistës së dhënë për italianen “La Repubblica”, dhe të një shkrimi të gazetës italiane “Open”, ku shkruhet se Edi Rama ka ndryshuar mendje për emigrantët në Shqipëri: Qendra nuk do të funksionojë”.

Ai u shpreh se lidhur me marrëveshjen për emigrantët me Italinë nuk ka ndryshuar mendim, madje edhe nëse do ta kthente kohën pas, do ta nënshkruante sërish.

“Biseduam për shumë gjëra në një atmosferë të bukur miqësie dhe sigurisht edhe për marrëveshjen dhe historinë e emigracionit të paligjshëm nga Shqipëria në Itali, të cilit qeveria D’Alema arriti t’i japë fund me shumë sens të shëndoshë dhe largpamësi strategjike. Por nuk e kisha imagjinuar kurrë se do të përfundoja edhe një herë në kënetën e betejës politike italiane në thonjëza me fjalë që nuk i thashë kurrë, si “do të jetë një dështim” ose “do të donim D’Alema” nën titullin ” Rama hedh Melonin” në të cilin nuk e njoh fare veten”, shkruan ai.

Megjithatë, Rama shton se “nëse do të më duhej të kthehesha në hapat e mi njëqind herë, do të bëja marrëveshjen për emigrantët me Italinë dhe me asnjë vend tjetër”.

“E kam thënë gjithmonë se për mendimin tim është një gjë e re që do të duhet të përballet me provën e realitetit. Por nëse në realitet publikon një foto të një kantieri në orët e para të punës, shoqëruar me titullin “800 milionë të hedhura në ajër”, atëherë ne jetojmë në botë paralele dhe asgjë nuk mund të na afronte me sfidën e vërtetë gjigante të emigracionit të paligjshëm, në një Evropë që duhet të bashkohet për të luftuar në të njëjtën kohë trafikun kriminal të të varfërve dhe dimrin demografik që kërcënon gjithnjë e më shumë të ardhmen e tij”.

Ndërkohë, shton Rama “politikanët duken si priftërinjtë e Kostandinopojës që u zhytën aq shumë në debatin mes tyre në seksin e engjëjve dhe nuk kuptuan se muret e qytetit ishin tashmë të shpuar nga të gjitha anët”.

Rama thotë se shtyrja e hapjes së qendrave në Shqipëri për emigrantët është çështje e Italisë

Marrëveshja

Qeveria shqiptare, më 7 nëntori të vitit të kaluat, ka zbardhur Protokollin e firmosur ndërmjet qeverisë së Republikës italiane dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë.

Kështu u bë me dije se marrëveshja për strehimin e emigrantëve – të kapur në det nga Italia  – në dy qendra të ndërtuara në Shqipëri, do të zgjasë plot pesë vite.

Shpenzimet për këtë vendim politik deri më tani do të përballohen nga Italia, e cila do t’i paguajë Shqipërisë fondin e parë në shumën 16.5 milionë euro, brenda një 3-mujori.

Parashikohet që mbi 100 milionë euro të jenë të ngrira në një llogari bankare të nivelit të dytë si garanci.

Italia, ndërkaq merr përsipër të gjitha shpenzimet për kujdesin spitalor sipas legjislacionit shqiptar, pas administrimit të trajtimeve spitalore të palës shqiptare.

Neni 3 i kësaj marrëveshjeje përcakton se shteti fqinj merr në përdorim sipërfaqe të territorit shqiptar për ngritjen e strukturave pritëse të cilat parashikohen të ngrihen në Shëngjin dhe në Gjadër.

Neni 4, që është pika kryesore e këtij protokolli thekson se Italia ngre tërësisht me shpenzimet e saj, strukturat për qëndrimin e migrantëve.

Kufiri maksimal i pritjes së të huajve do të jetë jo më shumë se 3 mijë persona të strehuar në të njëjtën kohë.

Gjithashtu Italia do të përballojë çdo shpenzim për të strehuarit, duke përfshirë kostot e kujdesit shëndetësor dhe tjetër të parashikuar që mund t’i vijë palës shqiptare.

Po ashtu, në dokumentin e firmosur përcaktohet se afati maksimal i qëndrimit të një emigranti nuk mund të jetë më i madh se koha e nevojshme për procedurat e azilit dhe mbrojtjes.

Në përfundim të procedurave, sipas nenit 9, është pala italiane që kryen me shpenzimet e saj largimin e migrantëve nga Shqipëria.

Shqipëria do të shoqërojë emigrantët me policinë e saj dhe do të vërë në dispozicion sipas rastit forcat e armatosura.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore