Lajme

Nga 9 maji serbët mund të pajisjen me patentë shoferë RKS


Foto nga arkivi.

Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), të hënën ka marrë vendim që mundëson kalimin nga patentë shoferi i lëshuar nga institucionet jolegale serbe në Kosovë, në ato zyrtare të Republikës së Kosovës.

Lajmin e ka bërë të ditur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përmes një video-mesazhi drejtuar qytetarëve.

“Kalimi në patentë shoferë të RKS, mundëson regjistrimin e lehtë dhe praktik të automjeteve. Nuk kërkon përsëritje të dhënies së provimit për fitim të patentë shoferit por vetëm aplikim të cilin, çdo qytetar duhet ta dorëzojë në Qendrën për Pajisje me dokumente”.

Kreu i ekzekutivit ka shpjeguar dokumentacionet e nevojshme për ta kthyer patentë shoferen në zyrtare.

“Letërnjoftimin, origjinalin e patent shoferit të lëshuar nga ana e autoriteteve serbe, çertifikatën e gjendjes shëndetësore për pajisje me patent shofer, -dëshmi të pagesës së taksës, dhe -origjinalin e patent shoferit të lëshuar nga UNMIK apo RKS në qoftë se bëhet aplikimi për shtimin e kategorive, gjë e cila po ashtu është mundësuar përmes këtij vendimi të Ministrisë së Punëve të Brendshme”, tha Kurti.

Kurti, sqaroi se vendimi hyn në fuqi më datën 9 maj dhe është valid deri më datën 9 gusht të 2024-së.

Ai ka bërë thirrje që në afat sa më të shkurtër komuniteti serb të aplikojë për të realizuar të drejtën tyre.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore