Lajme

Navalny, martiri i fundit i shpresës për demokraci në Rusi


Ishte një nga kritikët më këmbëngulës ndaj Vladimir Putinit.

Ai po mbahej në një burg rreth 40 milje në veri të Rrethit Arktik, ku ishte dënuar me 19 vjet nën një “regjim të veçantë”. Një udhëtim ky, që ka treguar se zgjati plot 20 ditë. Dhe që me ironi e përkufizoi veten si “Babagjysh nën një regjim special”.

Ai ishte Alexei Navalny. Martiri i fundit i shpresës për demokraci në Rusi.

Dhe nuk priste të lirohej as nga akuzat e as nga burgu gjatë jetës së gjatë në pushtet të Putinit – lideri rus më jetëgjatë që nga Jozef Stalin.

Në muajin janar të këtij viti, në një video ku ai shfaqej në qeli, dukej i dobësuar.

E si mund të ishte ndryshe jeta e një kritiku që s’ka reshtur së deklaruari – edhe pse në pamundësi të paimagjinueshme për t’u lidhur me botën e jashtme përtej mureve të qelisë së sigurisë së lartë – se është helmuar, sulmuar dhe privuar nga kujdesi i duhur mjekësor!

E si mund të ishte ndryshe jeta e një kritiku që – përpos gjithë sfidave me të cilat i duhej të përballej – detyrohej së fundmi të dëgjonte një këngëtar pop pro-Putin në orën 05:00 të mëngjesit çdo ditë në qeli.

Në fillim të dhjetorit ai u zhduk nga një burg në rajonin e Vladimirit, ku po vuante një dënim 30-vjeçar me akuza për ekstremizëm dhe mashtrim që ai i kishte quajtur ndëshkim politik për drejtimin e opozitës anti-Kremlin të viteve 2010.

Nuk u dëgjua asokohe asgjë për të për tre javë derisa…

“Mos u shqetëso për mua. Jam mirë”, shkroi ai, duke publikuar një sërë mesazhesh në platformën X në të cilat përshkroi rrugëtimin e tij dhe kushtet e paraburgimit.

Si një ish-politikan nacionalist, Navalny ndihmoi në nxitjen e protestave të viteve 2011-2012 në Rusi duke bërë fushatë kundër mashtrimit zgjedhor dhe korrupsionit qeveritar, duke hetuar rrethin e ngushtë të Putinit dhe duke ndarë gjetjet në videot që mblodhën qindra miliona shikime.

Pika kulmore u arrit në vitin 2013, kur ai fitoi 27 për qind të votave në një garë për kryebashkiak të Moskës.

Ai mbeti “një gjemb në këmbët e Kremlinit” për vite me radhë, duke identifikuar një pallat të ndërtuar në Detin e Zi për përdorim personal të Putinit, pallate dhe jahte të përdorura nga ish-presidenti Dmitry Medvedev dhe një punëtore seksi që lidhte një zyrtar të lartë të politikës së jashtme me një oligark.

Në vitin 2020, ra në koma pas një helmimi të dyshuar duke përdorur novichok nga shërbimi rus i sigurisë FSB dhe u evakuua në Gjermani për trajtim.

Por ai mbijetoi. Pas një kome të gjatë, u rikthye në jetë, më i etur se kurrë për të folur armikut të tij më të madh. Guximi i tij arriti deri aty, sa të priste vetë biletën drejt Moskës, pavarësisht paralajmërimeve se me shkeljen në tokën siberiane, do t’i viheshin prangat.

Kur u shërua, u kthye në Rusi në janar 2021. Por fundi ishte i pritshëm. U arrestua me një akuzë për shkelje të lirimit me kusht dhe u dënua me dënimin e tij të parë nga disa dënime që do të arrinin në më shumë se 30 vjet pas hekurave.

Navalny mori detyrën si kreu i Partisë Rusia për të Ardhmen në vitin 2013, pas dy viteve aktivizëm në shoqërinë civile moskovite.

Opozitari e nisi rrugëtimin duke protestuar në rrugë, me grupime të vogla kundër Putin-it. Dhe mbështetja ndaj tij u rrit gradualisht, deri në çastin kur ai u bë shumë i dukshëm për të mbetur në hije.

Pavarësisht kësaj, presidenti rus nuk e përmendi emrin e tij asnjëherë në publik. “Se di pse nuk e përmend. Ndoshta ka frikë nga unë”, deklaronte Navalny në 2017-ën.

Shumë e kanë cilësuar si “njeriu të cilit Putin-i i trembet”. I trembet, deri në pikën sa të kërkonte helmimin e tij, me një agjent kimik rreptësishtë të ndaluar për t’u përdorur.

Është e vështirë të besosh se në Rusi bëhen protesta të mëdha anti-qeveritare. Falë Navalny-t, bota arriti të shihte protestat më masive ruse në 20 vitet e fundit. Mbi 120 qytete, manifestuan për lirimin e tij.

Në protestat e ndara në tre faza të ndryshme, u arrestuan nga policia mbi 10 mijë mbështetës të opozitarit. Ajo që mbart rëndësinë më të madhe, është fakti se gjithë bota, po lartësonte figurën e një personi, i cili nuk i trembej as një prej udhëheqësve më të pushtetshëm në botë për sytë e opinionit publik.

Emri i tij nuk u përmend as këtë herë. Në asnjë çast. Në asnjë fragment të vetëm. Nuk u përmend, kur drejtpërdrejtë, Navalny nxorri një video dy orëshe ku shpjegonte se Putini kishte një “pallat mbretëror” në Detin e Zi.

Nuk u përmend as kur Navalny e quajti vendim politik dënimin e tij me burg.

Madje, Putin-i, nuk e përmendi emrin e Navalny-t, as kur ky i fundit, e quajti burracak për faktin se presidenti kishte frikë ti përmendte emrin.

Nuk ishte një hije e të kaluarës, por një realitet.

Ai ishte i vetmi person, që mund të ndryshonte gjithë rrjedhën historike moderne të Rusisë.

Navalny, ishte i vetmi emër që Putin, nuk e ka përmendur asnjëherë në publik!

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore